Kosovë, dosjet e FSK-së në duart e shërbimeve sekrete serbe?

29/09/2015 00:00

Komisioni parlamentar për mbikëqyrjen e Agjencisë kosovare të Inteligjencës ngre shqetësimin për rrjedhjen e informacioneve të FSK-së në duart e shërbimeve sekrete serbe.

Ka qenë kryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së, Haxhi Shala, i cili tha se ky është një informacion që e ka marrë nga institucionet kompetente, ndërsa dyshimi bazohet në faktin se Forca e Sigurisë së Kosovës e ka pasur në të kaluarën zëvendësministrin nga radhët e komunitetit serb.

Këto komente, Shala i bëri pas interesimit të deputetes së LDK-së, Melihate Tërmkolli, në lidhje me këtë çështje.

“Deklaratën e dhënë prej jush, se Serbia po hyn në sistemin tonë elektronik përmes sulmeve kibernetike, që po vëzhgon Kosovën që nga viti 2013, do të ishte mirë ta kishe bërë edhe këtu për të njoftuar edhe komisionin se, përse ne nuk e kemi këtë informacion. Nuk e di nëse këto janë spekulime rreth FSK-së, apo jo, por duhet sqaruar ky problem rreth të dhënave të FSK-së që dyshohet se po i merr shërbimi sekret i Serbisë”, tha Melihate Tërmkolli, deputete nga radhët e LDK-së.

“I njoftova të gjithë deputetët se, këtë informacion e kam marrë nga institucionet që janë të detyruara të merren me këtë çështje, me montimin e antenave dhe heqjen e tyre. Komisioni për Mbikëqyrjen e Sigurisë duhet të merret më shumë me këtë çështje. Por, duhet ta dini se, në Ministrinë e FSK-së kemi pasur gjithnjë një zëvendësministër nga radhët e komunitetit serb dhe Qeveria duhet të merret më seriozisht me faktin se, cilin po emëron aty dhe kujt po i raporton zëvendësministri i komuniteteve të tjera. Ka mundësi që këto informacione të kenë rrëshqitur, sepse ai është zëvendësministër dhe si i tillë ka të drejtë të ketë informacione për gjithçka, në çdo institucion”, tha Haxhi Shala, kryetar i Komisionit parlamentar për Mbikëqyrjen e Agjencisë kosovare të Inteligjencës.

Për këtë çështje, komisioni do të kërkojë përgjigje nga drejtori i Agjencisë së Inteligjencës dhe nga ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, ndërkohë një debat i tillë është bërë edhe në legjislaturën dhe qeverinë e kaluar. Aktualisht, Ministria e FSK-së ka në radhët e saj dy zëvendësministra, Muhamet Latifin dhe Fadil Haxhi Gashin, që të dy shqiptarë.

Top Channel