Elbasan, sherr në lokal, vritet me thikë 24-vjeçari

29/09/2015 00:00

Një i ri 21-vjeçar gjeti vdekjen pasditen e së martës në qytetin e Elbasanit, nga një goditje me thikë pas një grindjeje.

Ngjarja ka ndodhur në një lokal pranë stadiumit “Elbasan Arena”, ku 21-vjeçari Gentjan Bajraktari nga Korça, i cili punonte si kamarier, pati një grindje të momentit me dy vëllezër. Sipas burimeve nga policia, shkak i grindjes mes të rinjve ka qenë vonesa e porosisë, çfarë ka nxehur gjakrat mes tyre, duke çuar në aktin e rëndë.

Njëri prej vëllezërve e goditi disa herë më thikë, në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar atij plagë të rënda. Policia, e cila ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, ka bërë të mundur në një kohë rekord identifikimin e autorëve të vrasjes dhe arrestimin e tyre.

Mariglen Kristo, 21 vjeç, dhe vëllai i tij Dorian Kristo, 26 vjeç, që të dy banues në Elbasan, u arrestuan teksa po tentonin të largoheshin nga qyteti.

Edhe pse 21-vjeçari u dërgua menjëherë në Spitalin Rajonal të Elbasanit për të marrë ndihmën mjekësore, ai nuk ka mundur të mbijetojë për shkak të plagëve të rënda.

Mësohet se, policia vazhdon hetimet, duke shoqëruar të gjithë klientët, të cilët ndodheshin në lokal në momentin e krimit, me qëllim zbardhjen e plotë të shkaqeve të vrasjes. Materialet i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për hetime të mëtejshme.

Top Channel