Obama kryeson samitin antiterrorizëm në OKB, kërkon mbështetje kundër ISIS

29/09/2015 00:00

Presidenti amerikan, Barack Obama kryesoi një tryezë të udhëheqësve botërorë në Kombet e Bashkuara për të diskutuar në lidhje me antiterrorizmin, me qëllim që të sigurohet mbështetje për të luftuar mbi të gjitha militantët e Shtetit Islamik.

Për Obamën, mposhtja e këtij grupi xhihadistësh në Siri do të ishte e mundshme vetëm nëse Presidenti Bashar al-Assad do të jepte dorëheqjen. Përpara këtij takimi, Shtetet e Bashkuara njoftuan vendosjen e sanksioneve të reja ndaj krerëve më të lartë të ISIS, me synimin për t’u pakësuar burimet e tyre të financimit të aktiviteteve terroriste.

Në këtë grup të sanksionuarish janë 35 individë dhe grupe, ndër të cilët 4 nga Britania dhe 3 nga Franca.

Takimi i krerëve botërorë kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm është duke u mbajtur në hijen e punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në Nju Jork.

Rusia, e cila është kryesuese e Presidencës së Këshillit të Sigurisë në OKB gjatë këtij muaji, do të kryesojë takimin e organizuar prej saj ditën e mërkurë, sërish për të njëjtën çështje, antiterrorizmin. Të martën, Rusia kritikoi samitin antiterrorizëm të Shteteve të Bashkuara në OKB, duke e quajtur atë “mosrespektues”.

“Kjo nismë minon seriozisht përpjekjet e OKB-së në këtë drejtim”, tha i dërguari i Moskës në OKB, Vitaly Churkin, i cituar nga agjencitë ruse të lajmeve.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm francez tha se Rusia ka folur shumë në lidhje me sulmet ndaj ISIS, por nuk ka bërë asgjë konkrete deri më tani kundër grupit xhihadist. “Duhet të shihet qartë se kush po vepron dhe çfarë po bën realisht. Rusët, të paktën deri më tani, nuk janë askund”, tha Laurent Fabius në një konferencë për shtyp nga Nju Jorku. “Nëse dikush kërkon të dalë kundër terroristëve, nuk është aspak jonormale që t’i godasësh këta terroristë”, shtoi ai.

Të hënën, Obama dhe krerët e Rusisë, Kinës dhe Iranit folën përpara Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në përvjetorin e 70 të saj. Presidenti rus, Vladimir Putin u takua me homologun e tij amerikan, Barack Obama, në ambientet e OKB-së në Nju Jork, për të diskutuar pikërisht mbi luftën siriane. Të dyja palët kanë dallime të theksuara dhe prej një kohe të gjatë në lidhje me zgjidhjen e mundshme të këtij konflikti.

Top Channel