Bruksel, marrëveshje Kosovë-Serbi për njohjen e diplomave

29/09/2015 00:00

Qeveria e Kosovës njoftoi se ka arritur marrëveshjen me qeverinë e Serbisë, në lidhje me njohjen reciproke të diplomave mes dy shteteve.

Në një njoftim për media thuhet se, me këtë marrëveshje, palët u zotuan për njohjen reciproke të diplomave, si dhe respektimin e procedurave dhe afateve, sipas legjislacionit respektiv të secilit shtet.

Kjo marrëveshje përfshin të gjitha nivelet universitare (Bachelor, Master dhe Doktoraturë), diplomat e shkollave të mesme, arsimin profesional, si dhe nivelin e pestë të kualifikimeve sipas kornizës europiane të tyre.

Siç thuhet në komunikatë, kjo marrëveshje do të ndihmojë – me theks të veçantë, – popullatën shqiptare të Luginës së Preshevës, studentë të së cilës kanë kryer studimet në Kosovë dhe kanë nevojë të kthehen e të punojnë në vendet e tyre.

Delegacioni i Kosovës, i udhëhequr nga ministrja për Dialogun, Edita Tahiri, dhe ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, në takimin me diplomatë të huaj kanë hapur edhe çështjen e shpërndarjes së teksteve shkollore për Luginën e Preshevës, që prej shumë kohësh po bllokohen në kufi nga Serbia.

Sipas komunikatës, delegacioni kosovar ka kërkuar ndihmën e BE-së, që dërgesa e Ministrisë kosovare të Arsimit të zhbllokohet dhe të dërgohet te studentët. Ndërsa pala serbe ka premtuar se, do të japë përgjigje për këtë çështje brenda dy ditësh.

Edhe delegacioni kosovar ka konfirmuar reciprocitet në këtë temë.

Top Channel