“Fiks Fare”, certifikatë mbrojtjeje pa ditur asnjë fjalë anglisht…me 150 euro

29/09/2015 00:00

Sot nuk është fare e vështirë të sigurosh një certifikatë të gjuhës angleze, diçka që duhet patjetër të shoqërohet me diplomën për të vazhduar studimet pasuniversitare, ose për ata që kanë profesione të veçanta.

Por, edhe pse dikush nuk e njeh fare anglishten, nuk di as edhe një fjalë të vetme, ka ende shpresë për të marrë certifikatën që do t’i japë një vlerë edhe më të madhe diplomës.

Emisioni investigues i “Fiks Fare”, në puntatën e radhës të kësaj të marte, zbulon se çfarë procedurash duhet të ndjekësh për të marrë një certifikatë të gjuhës angleze, një dëshmi anglishteje të përhershme, e cila mban logon e Universitetit të Kembrixhit.

Të gjithë shikuesit kanë ndjekur se çfarë “duhet të kesh” kur e di anglishten, por edhe nëse nuk e di ta flasësh atë. Ajo që ndodh konkretisht është pajisja e të interesuarve me certifikata anglishteje kundrejt pagesës prej 150 eurosh…

Pamje nga British Chamber of Commerce and Industry, Albania

Fiksi: më duhet një certifikatë. Tani, unë jam i interesuar, e kam për një kushërirën time.
Punonjësja: Po.
Fiksi: Edhe ajo është tek Infermieria, por e ka mbaruar shkollën dhe i duhet. Tani…
Punonjësja: A2 i duhet?
Fiksi: Ajo është me pushime. Mund t’ia marr dot unë?
Punonjësja: E ka dhënë ajo?
Fiksi: Jo, moj, jo. Me e marrë kështu… Të bëj pagesën dhe ta marr.
Punonjësja: Të vijë vetë këtu, të paguajë dhe 150 euro edhe…
Fiksi: Por, po nuk doli mirë ajo pastaj?
Punonjësja: Po ç’ke more, asaj A2 i duhet.
Fiksi: Tani, a e rregullojmë dot që të dalë mirë?
Punonjësja: Që ta marrë, jo të dalë mirë.
Fiksi: Po pra, që të marrë pikët maksimale.
Punonjësja: Po prandaj po them.
Fiksi: Tani sa lekë shkon?
Punonjësja: Po të thashë unë, e di ajo. 150 euro.
Fiksi: 150 euro?
Punonjësja: Po. Mos fol për çmime e kështu gjërash në telefon.
Fiksi: Po jo moj, çfarë telefonash…
Punonjësja: Po ta japë vetë, ta marrë vetë kushton 95 euro. Unë ta jap…
Fiksi: Tani që ta marrë, ta ketë garant?
Punonjësja: Garant e ka.
Fiksi: Me 150 euro. Është e mbaruar?
Punonjësja: Po e di ajo… për ta bërë brenda ditës, brenda ditës, dhe për ta marrë për dy javë. Edhe duke e ndihmuar që ta marrë… është 150 euro.

Top Channel