Veliaj: Kemi harxhuar gjithë fondin e investimeve

29/09/2015 00:00

Kreu i Bashkisë së Tiranës Erjon Veliaj, në një takim me prindër të nxënësve të kryeqytetit, thotë se trashëgoi një institucion të zhytur në borxhe që kapin vlerën e 31 mln dollarëve.

“Për t’ju dhënë një ide sesa kemi krevatin ku mund të shtrijmë këmbët…në vit, Bashkia ka një buxhet investimesh prej 5 milionë dollarësh, për të menaxhuar gjithë këtë qytet me një milionë banorë dhe shtrirje të madhe. Në momentin që tashmë janë shpenzuar dhe faturuar 31 milionë dollarë, praktikisht kemi harxhuar gjithë fondin e investimeve të Bashkisë në 6 vitet e ardhshme”, tha Veliaj.
 
Por pavarësisht kësaj, Bashkia e Tiranës, thotë Veliaj, është e vendosur të zgjidhë problemet e kryeqytetit duke nisur nga çerdhet.

“Kemi menduar të fillonim nga çerdhet, së pari sepse bebet nuk votojnë dhe së dyti sepse mosha nga 0-3 vjeç është mosha më delikate ku formohet 50% e intelektit të një fëmije. Unë vetë nuk kam fëmijë por kam parë çerdhe ku rritej si me qenë pemë myku nga muret dhe rriteshin kërpudha nga muret, aty ku flenë fëmijët e qytetit të Tiranës”, deklaroi kryebashkiaku i kryeqytetit.
 
Kreu i Bashkisë ftoi prindërit të jenë të pranishëm një herë në dy apo tre muaj në një bashkëbisedim që synon zgjidhjen e problemeve me të cilat përballen fëmijët e tyre.

Top Channel