Paris, çelet panairi i Turizmit; Ahmetaj: Pjesëmarrës për përmirësimin e imazhit

29/09/2015 00:00

Panairi ndërkombëtar i Turizmit, “IFTM Top Resa”, është çelur në Paris, një nga më të rëndësishmit në Europë dhe më i madhi në Francë. Shqipëria u përfaqësua këtë vit për të parën herë me stendën e saj.

“Në dy vitet e fundit, Shqipëria ka marrë pjesë në të gjitha panairet e rëndësishme ndërkombëtare të turizmit, në funksion të përmirësimit të imazhit dhe të përhapjes së mundësive, që ka Shqipëria si destinacion turistik i turizmit detar; pra të diellit, rërës dhe detit; apo kulturor e patjetër edhe turizmit malor”, tha Arben Ahmetaj, ministër i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes.

Ministri Ahmetaj ka thënë gjithashtu se, sfida e Shqipërisë mbetet cilësia e shërbimit. Me rëndësi po ashtu është tipologjia e turistëve, sipas Ahmetajt, harta e të cilëve është zgjeruar me francezë, italianë, gjermanë, polakë, sllovenë, çekë, danezë dhe suedezë.

Në panair marrin pjesë mbi 30 mijë vizitorë dhe mbi 160 shtete. Stenda e Shqipërisë u vizitua dhe nga Sekretari i Shtetit për Turizmin në Francë, Matthias Fekl.

Top Channel