Fqinjët bëhen gati për refugjatët sirianë

30/09/2015 00:45

Teksa Qeveria shqiptare shprehet se nuk ka informacione për ndonjë fluks emigrantësh sirianë që mund të hyjnë në vendin tonë dhe mbetet thjesht në kuadrin e rakordimit dhe vlerësimit të kapaciteteve të saj, duket se nuk ndodh e njëjta gjë në shtetet fqinj.

Qeveria e Malit të Zi, në mbledhjen e mbajtur në datë 25 shtator, ka vënë alarmin për fluksin e pritshëm të emigrantëve, të cilët sipas saj do të zgjedhin këtë shtet si vend tranzit.

“Bazuar në analizën e situatës aktuale në rajon, qeveria doli në përfundimin se ekziston mundësia e devijimit të rrugës së emigrantëve drejt kufirit malazez. Kabineti ka marrë një sërë vendimesh për përcaktimin e detyrave dhe përgjegjësive të autoriteteve shtetërore dhe të institucioneve në mënyrë që të sigurojë përgjigje në kohë dhe efikase në përputhje me konventat ndërkombëtare, të cilat Mali i Zi i ka nënshkruar”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Podgoricës.

Edhe autoritetet kosovare, kanë shprehur gatishmërinë për te krijuar kushtet për pritjen e një fluksi refugjatesh, madje ka pasur dhe propozime për të akomoduar deri në 3 mijë refugjatë sirianë, të cilët mund të strehohen në Kosovë.

Nga ana tjetër, autoritetet kroate janë vënë në alarm për një valë emigrantësh që mund të mbërrijnë nga jugu, e përkatësisht, duke përshkuar Shqipërinë e Malin e Zi, për të mbërritur më pas në zonën e Dubrovnikut.

Dhe për të treguar se nuk është thjesht një supozim, autoritetet kroate janë duke punuar për të ngritur një kamp refugjatësh në gadishullin e Prevlaka-s, i ndodhur vetëm 50 kilometra larg qytetit turistik të Dubrovnikut, që ka shërbyer më parë si një zonë ushtarake gjatë kohës së ish-Jugosllavisë.

Veç kësaj edhe rrjeti prestigjioz “Euronews”, shkruan se për shkak të përkeqësimit të motit, pritet që rruga Maqedoni-Serbi-Kroaci, të devijohet përmes Shqipërisë, e cila do të shërbejë si një vend tranzit për emigrantët e shumtë që mbërrijnë në brigjet e greke.

Top Channel