Bushati në Nju Jork, lufta kundër terrorizmit, takimi Rama-Tsipras, prioritetet e OSBE…

30/09/2015 00:55

Në një lidhje me “Skype” nga Nju Jorku, ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, i cili është pjesë e delegacionit të Shqipërisë që po ndjek punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, foli në “Revistën Televizive të Mbrëmjes” mbi samitin në kuadër të masave kundër ekstremizmit të dhunshëm.

Bushati foli edhe mbi takimin e mbajtur në Nju Jork mes Kryeministrit Rama dhe Kryeministrit grek Tsipras, për të cilin tha se ishte një takim i frytshëm sepse nuk u fokusua vetëm në gamën e çështjeve që do të duhen të adresohen në frymën e mirëkuptimit dhe mirëbesimit, por edhe një çështje e karakterit ekonomik dhe tregtar.

Ministri foli edhe mbi takimin që pati me Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së në Nju Jork, si dhe për hapjen e negociatave me BE-në.

Samiti në Nju Jork kundër ekstremizmit të dhunshëm

Pandi Gjata: Ditë të ngarkuara, axhendë e ngjeshur edhe për delegacionin shqiptar në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Doja ta nisja me atë që ishte ngjarja e së martës, samiti i Presidentit Obama me liderët nga e gjithë bota, ku mes tyre foli edhe Kryeministri Rama në kuadër të masave në luftën e përbashkët kundër terrorizmit. Cili ishte mesazhi i këtij samiti dhe çfarë angazhimi konkret ka marrë Shqipëria?

Ditmir Bushati: Siç dihet një vit më parë Këshilli i Sigurimit miratoi një rezolutë për një grup vendesh që u bënë pjesë e koalicionit global në luftën kundër terrorizmit, ku dhe Shqipëria po ashtu si vendet e tjera ka disa angazhime specifike në këtë fushë. Por samiti i këtij viti i organizuar nga Presidenti Obama me liderët botërorë kishte për qëllim të evidentonte progresin e bërë gjatë këtij viti dhe përcaktonte gjithashtu disa hapa konkret të bashkëpunimit ndërmjet vendeve dhe organizmave të ndryshme ndërkombëtare në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm. Ishte fat dhe një mundësi e mirë për Kryeministrin Rama për të mbajtur një fjalim, jo thjesht në emër të Shqipërisë, por duke përfaqësuar kontributin e çmuar që ka Shqipëria në këtë proces të dallueshëm ndoshta nga një pjesë e vendeve të Europës Juglindore edhe për shkak të specifikës sonë dhe për faktin që kemi operuar në dy nivele. Nga njëra anë është lufta kundër terrorizmit dhe nga ana tjetër përmes politikave promovuese të bashkëjetesës fetare, të cilat janë evidentuar edhe nga vizitat e rëndësishme që janë kryer gjatë kohëve të fundit në Shqipëri. Për sa i përket angazhimeve të Shqipërisë, mund të them se Kryeministri, pasi ka evidentuar të gjithë kontributin e Shqipërisë në këtë drejtim, është angazhuar gjithashtu, në radhë të parë për të vijuar këtë angazhim dhe gjithashtu për të krijuar një qendër rajonale me seli në Tiranë. Kjo qendër nuk do të ketë vetëm synim luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm, por edhe programe të karakterit edukativ dhe kulturor se si mund të promovohen sa më mirë vlerat e bashkekzistencës fetare, marrëdhënieve ndëretnike, për të krijuar një shembull pozitiv për të gjithë rajonin.

Takimi Rama-Tsipras
Angazhimi për të zgjidhur problemet mes dy vendeve

Pandi Gjata: Në axhendën e Kryeministrit Rama me rëndësi ka qenë edhe takimi me Kryeministrin e Greqisë, Tsipras. I referohem njoftimit të qeverisë greke ku thuhet se Tsipras shtroi nevojën e zgjidhjes së problemeve të dy vendeve bazuar te e drejta e ndërkombëtarëve dhe tek respekti reciprok. Që kur keni ardhur në pushtet keni këtë lloj komunikimi nga Tirana për t’i zgjidhur problemet e vjetra me Greqinë. Pas këtij takimi, a do të kemi lëvizje konkrete, ligji i luftës, çështja e marrëveshjes detare, çështja çame?

Ditmir Bushati: Ishte një takim miqësor, i cili u zhvillua në një frymë bashkëpunimi dhe mirëkuptimi për gamën e çështjeve të cilat do të duhen të adresohen nga të dyja palët, duke bërë referenca konkrete tek shtyllat kryesore të së drejtës ndërkombëtare. Qeveria jonë ka një qëndrim konsistent që të gjitha çështjet e paadresuara me Greqinë t’i zgjidhim në frymën e parimeve dhe të së drejtës ndërkombëtare. Edhe ky takim kishte një frymë mirëkuptimi për të shikuar përpara për përmirësimin edhe më tej të marrëdhënieve mes dy vendeve tona.

Pandi Gjata: Kur do të nisim të zgjidhim? Kur do të kemi hapa konkretë?

Ditmir Bushati: Ne kemi pasur hapa konkrete, mjafton t’iu kujtoj çështjen e toponimeve, riaktivizimin e komuniteteve të përbashkëta, angazhimin për të shkuar drejt një rishkrimi të një dokumenti të ri partneriteti ndërmjet dy vendeve.

Pandi Gjata: Për marrëveshjen detare kur pritet të kemi një zgjidhje?

Ditmir Bushati: Kjo është një çështje që do të kërkojë kohen e vet sepse Shqipëria do të evitojë të gjitha gabimet e evidentuara në të shkuarën për të arritur një marrëveshje të re solide, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe në përputhje me atë çka parashtruar edhe Gjykata Kushtetuese. Palët kanë ende qëndrime të ndryshme për sa i përket mënyrës së si duhet të zgjidhet kjo çështje, por është e rëndësishme se si në dhe pala greke e njohim rëndësinë e zgjidhjes së kësaj çështjeje.

Pandi Gjata: Tsipras do të jetë brenda Dhjetorit në Tiranë, apo ndoshta vitin tjetër?

Ditmir Bushati: Gjatë bisedës, ai e ka konfirmuar dëshirën e tij për të vizituar Tiranën, vullnetin për të bashkëpunuar me Shqipërinë si një partner i rëndësishëm në rajon për Greqinë. Mund të them se gjatë kësaj periudhe kemi pasur për herë të parë deklarata nga Greqia, ku Shqipëria konsiderohej si një përntere strategjike. Unë besoj se ky takim ishte i frytshëm sepse nuk u fokusua vetëm në gamën e çështjeve që do të duhen të adresohen në frymën e mirëkuptimit dhe mirëbesimit, por edhe një çështje e karakterit ekonomik dhe tregtar. Të mos e harrojmë, ne jemi vende fqinje dhe në një mënyrë apo në një tjetër ekonomitë tona janë të lidhura. Por edhe si vende të Europës Juglindore dhe çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë dhe emigracionin, jemi duke u koordinuar për t’i trajtuar së bashku.

Rifreskimi i prioriteteve të OSBE
Takimi me Sekretarin e Përgjithshëm të organizatës në Nju Jork

Pandi Gjata: Zoti ministër, ju patët një takim të rëndësishëm me Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së, Lamberto Zannieri. Çështja e OSBE-së ka qenë ndër më të rëndësishme prej javësh në Shqipëri. I referohem deklaratës së Ministrisë së Punëve të Jashtme ku thuhet se, “keni rënë dakord për nevojën e një bashkëpunimi më të strukturuar mes Shqipërisë dhe organizatës për të rifreskuar prioritetet”. Mund të ma shpjegoni këtë term se çfarë do të thotë dhe cilat do të jenë “shinat” e fokusit të ri të marrëdhënieve Shqipëri-OSBE?

Ditmir Bushati: Brenda organizatës ka një ndarje detyrash mes asaj se çfarë duhet të bëjnë vendet anëtare, kryesia e radhës e OSBE-së dhe Sekretariati i Përgjithshëm i OSBE-së. Në radhë të parë, unë takimin e zhvilloj për të shikuar kontributin që Shqipëria ka në organizatë. Si një vend anëtar i NATO-s, si një vend që është i përfshirë në frontin e vendeve që kontribuojnë në çështje të sigurisë, Shqipëria ka një interes për ta koordinuar më mirë bashkëpunimin me OSBE-në sepse edhe kjo organizatë zbaton programe të kësaj natyre. Gjithashtu, një pikë e diskutimit ishte edhe nevoja për të rifreskuar programet e misionit të zyrës së OSBE-së në Shqipëri. Ky është një qëndrim i bërë publik nga ana e Qeverisë shqiptare.

Pandi Gjata: A është dakord OSBE-ja në Vjenë për këtë që kërkon Qeveria shqiptare?

Ditmir Bushati: Absolutisht që nuk ka asnjë lloj rezerve dhe ka edhe një mirëkuptim dhe linjëzim të plotë të pikëpamjeve për sa i përket nevojës së shfrytëzimit të buxhetit të OSBE-së, programet e saj në përputhje me fushën e ekspertizës që është në gjendje OSBE-ja të ofrojë dhe nevojat e sfidat me të cilat përballet vendi. Ka fusha që janë plotësisht në misionin e OSBE-së, ku ekspertiza e OSBE-së është qartësisht avantazhuese në raport me organizatat e tjera, ka fusha ku OSBE-ja së bashku me institucionet shqiptare po ushqen ngjizjen e kapaciteteve në tregun jofitimprurës. Gjithashtu ka fusha ku OSBE-ja mund të japë një ekspertizë të drejtpërdrejtë, si në çështje të sigurisë apo në çështje zgjedhore.

Pandi Gjata: A ka më qefmbetje mes Tiranës dhe OSBE-së pas publikimit të raportit konfidencial javë më parë?

Ditmir Bushati: Kjo nuk është korrekte sepse Shqipëria është një vend anëtar në OSBE-së, një vend kontributor në këtë organizatë, në kuptimin politik të fjalës dhe në kuptimin e sigurisë. Pra, nuk mund të ketë qefmbetje mes një vendi anëtar dhe organizatës ku aderon. Por është e vërtetë se misioni në Tiranë, siç është deklaruar edhe nga kjo zyrë, ka pasur një reagim për një të ashtuquajtur dokument që në medie është cilësuar si raport, por që gjykohet si nga ne OSBE-ja se ky dokument nuk përbën një dokument pune dhe aq më tepër nuk është në përputhje me mandatin e pranisë së OSBE-së në Shqipëri. Për sa i përket rifreskimit të programeve, unë mund t’ju them se kjo është një praktikë e përvitshme. Nga vendet anëtare diskutohet buxheti që duhet të alokohet për misionet apo pranitë që OSBE-ja ka në zona të ndryshme.

Hapja e negociatave me BE
Takimi me zv/presidentin e parë të Komisionit Europian

Pandi Gjata: Ju patët edhe një takim me zëvendëspresidentin e parë të Komisionit Europian, Frans Timmermans. A kemi diçka konkrete në lidhje me hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë apo çdo gjë do të mësohet pas progres-raportit?

Ditmir Bushati: Jam i inkurajuar nga takimi me zotin Timmermans sepse ka një njohje të thellë nga ana e Komisionit Europian për përpjekjet që Shqipëria bën në fushën e sundimit të së drejtës. Zëvendëspresidenti ka një portofol koordinues edhe me vendet anëtare të BE-së për të gjithë reformën që duhet të ndërmarri BE-ja në fushën e sundimit të së drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Gjithashtu ramë dakord për të bashkëpunuar ngushtësisht dhe për të koordinuar përpjekjet për të prezantuar sa më mirë këto reforma, të cilat janë të dhimbshme, por që Shqipëria është e vendosur për t’i realizuar. Është në ambicien tonë që ne të ecim drejt hapit të radhës që janë negociatat për anëtarësim apo sigurimi i një opinioni nga ana e Komisionit Europian dhe më pas një vendimi nga ana e vendeve të BE-së për fillimin e bisedimeve. Siç dihet, reforma në drejtësi dhe liritë dhe të drejtat themelore të njeriut janë kyç për këtë proces. Gjithashtu mendoj se ky takim do të na ndihmojë për të përcaktuar edhe më tej hartën e veprimit se si do të shkojmë drejt hapit të radhës. Unë jam besimplotë se progres-raporti që do të publikohet për dy javë, do të analizojë në mënyrë të detajuar progresin që ka bërë Shqipëria në këtë drejtim, sikundër do të evidentojë ato çështje që mbeten sfiduese për Qeverinë shqiptare, institucionet. Unë besoj se ne do të ecim përpara në këtë proces dhe shpresoj e uroj që të vazhdojë të mbetet një prioritet jo vetëm për Qeverinë shqiptare, por për të gjithë aktorët politik.

Lobimi për Kosovën
Mbështetja për anëtarësimin në UNESCO

Pandi Gjata:  Është viti i tretë që ju merrni pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Lobimi këtë vit nuk është vetëm për anëtarësimin e Kosovës në OKB, por është edhe për UNESCO-n. A mund të na thoni konkretisht nëse keni marrë përkrahje nga vendet mbi Kosovën?

Ditmir Bushati: Gjeografia e takimeve që kam zhvilluar këtë herë në OKB ka qenë disi e ndryshme nga ajo e viteve të kaluara edhe për shkak të prioritetet për të ndihmuar sa më shumë anëtarësimin e Kosovës në UNESCO. Shqipëria është propozuese e këtij anëtarësimi. Ky është një proces i vështirë, pasi do të ketë një votim të parë në këshillin e UNESCO-s dhe më pas në konferencën e përgjithshme, ku ka një shumicë më të madhe shtetesh. Në Këshillin Ekzekutiv do të duhet një shumicë më shumë se gjysma e vendeve anëtare që në asamblenë e përgjithshme votimi është edhe më i komplikuar për shkak të nevojës së dy të tretave të votave. Në këtë proces ne po tentojmë të zgjerojmë kompasin tonë të veprimit edhe në vendet të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, por që pritet që të kenë një qasje më fleksibël për sa i përket mundësisë së Kosovës për të qenë pjesë e UNESCO-s. Ky është një veprim i rëndësishëm politik, të cilin ne nuk e kemi kufizuar vetëm të prania jonë në organizatë. Zyra jonë atje ka bërë një punë të shkëlqyer, por në bashkëpunim me palën kosovare dhe në sinkronizim të plotë me partnerët tanë strategjik, ne po përpiqemi që të përçojmë këtë mesazh edhe tek vendet që nuk e kanë njohur Kosovën apo janë skeptike. Anëtarësimi i Kosovës në UNESCO do të ishte një mesash i qartë për klimën pozitive që duhet të ekzistojë në rajonin tonë, për mbrojtjen më të mirë të trashëgimisë dhe vlerave kulturore. Në një mënyrë apo në një tjetër, kjo është kthyer në një prioritet të politikës së jashtme jo vetëm të Shqipërisë, por në një vokacion të shqiptarëve, i cili duhet të dëshmohet edhe në rastin e UNESCO-s.

Top Channel