Tjetër shtyrje e rekursit “Dajti”

30/09/2015 10:15

Pas precedentit të vendosur me gjykimin në Shkallën e Parë dhe në atë të Apelit, dosja në ngarkim të Dritan Dajtit, po ndjek të njëjtën rrugë edhe me rekursin e Prokurorisë në Gjykatën e Lartë.

Seanca për shqyrtimin e kërkesës së rekursit të depozituar nga Prokuroria, u shty për më 7 tetor për shkak të mungesës së avokatëve mbrojtës të Dritan Dajtit.

Prokuroria ka dorëzuar në Gjykatën e Lartë rekursin ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit, e cila ka rikthyer për rigjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë dosjen në ngarkim të Dritan Dajtit, duke e argumentuar këtë vendim me shkeljet e procedurave gjyqësore, duke nisur që nga mungesa e avokatit mbrojtës për të pandehurin gjatë gjithë procesit.

Procesi ndaj Dritan Dajtit u kthye në një serial pa fund që eci përmes 278 seancave, por krijoi edhe precedentin e mosgjetjes së një avokati, si dhe pati edhe gjyqtarë të kërcënuar, disa prej të cilëve gjatë atij gjykimi u morën në mbrojtje.

44-vjeçari, i shpallur fajtor nga shkalla e parë për vrasjen e katër oficerëve të policisë, me justifikimin se nuk kishte forcë ekonomike të përballonte një mbrojtës vuri në lëvizje të gjitha autoritetet e drejtësisë për gjetjen e një avokati kryesisht, por askush nga kjo listë nuk pranoi ta mbronte atë.

Dritan Dajti është dënuar nga Shkalla e Parë për vrasjen e 4 oficerëve të policisë në ngjarjen e rëndë të ndodhur më 7 gusht të 2009-ës në qytetin e Durrësit.

Top Channel