Ndërhyrja ushtarake në Siri, Putin merr “lejen” nga Parlamenti rus

30/09/2015 00:00

Vladimir Putin kërkoi dhe e siguroi aprovimin e Dhomës së Lartë të Parlamentit, për të përdorur forcën ushtarake jashtë kufijve, çfarë u përkthye shpejt si hapi i radhës drejt angazhimit të trupave ruse në konfliktin sirian.

Shefi i Kremlinit e ka theksuar në mënyrë të vazhdueshme se, dërgimi i ushtarëve në terren nuk është pjesë e planeve të një ardhmjeje të afërt. Por Moska, sipas shërbimeve amerikane të inteligjencës, ka dërguar ndërkohë të paktën 32 avionë në Siri dhe masa e miratuar me urgjencë nga Këshilli i Federatës, praktikisht i autorizon të bëhen pjesë e luftimeve.

Të hënën, përpara Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, Putin apeloi për një koalicion me bazë të gjerë kundër Shtetit Islamik, i cili të ketë dhe mbështetjen e OKB-së.

Përfshirjen në fushatën ajrore anti-ISIS, Presidenti rus e përmendi nga ana tjetër edhe pas takimit kokë më kokë me Barack Obamën.

Zyrtarët amerikanë pretendojnë se, përpos avionëve luftarakë, Moska ka dërguar gjithashtu 500 trupa e një sërë pajisjesh ushtarake në veriperëndim të Sirisë, lëvizje kjo që shumë e shohin si përpjekje të udhëheqësit rus për të mbajtur në pushtet Bashar al-Assadin, aleatin e tij më të madh në Lindjen e Mesme.

E gjithë kjo sipërmarrje mund të çojë ndërkohë drejt të parit angazhim të Rusisë në një vatër të largët konflikti, që prej ndërhyrjes së Bashkimit Sovjetik në Afganistan në 1979-n. Sa për dritën jeshile të Parlamentit për dislokim trupash jashtë kufijve, hera e fundit që Putin kërkoi aprovimin e ligjvënësve, një detaj teknik ky i diktuar nga ligjet në fuqi, ka qenë vitin që shkoi.

Fill pas kësaj, Moska kaloi në veprim duke i marrë Ukrainës gadishullin e Krimesë.

Top Channel