Afganistan, luftë me talebanët në Konduz

30/09/2015 00:00

Luftime të ashpra po zhvillohen në Kunduz, qyteti i parë afgan i rënë në duart e talebanëve që prej përmbysjes së regjimit të vjetër në 2001-shin.

Në përpjekjet e tyre për të rimarrë kontrollin e kësaj nyjeje të rëndësishme transporti në veri të vendit, forcat afgane të sigurisë po ndihmohen edhe nga ajri: dy bombardime të avionëve amerikanë, të martën, arritën t’u ndalojnë rebelëve mësymjen e aeroportit, fortesë të ushtrisë.

Agjencitë afgane të inteligjencës këmbëngulin se, nga këto sulme mbeti i vrarë kreu rajonal i talebanëve dhe zëvendësi i tij, por militantët i mohojnë të tilla pretendime.

Marrja e Kunduzit përfaqëson fitoren më të madhe të talebanëve në një dekadë e gjysmë. Uashingtoni e pranoi një ditë më parë se, një episod i tillë përfaqëson një hap të madh prapa për sigurinë dhe qëndrueshmërinë në vendin e trazuar, megjithatë shprehu bindjen se forcat vendase do të arrijnë ta rivënë nën kontroll qytetin verior.

Të hënën, rebelët ngritën flamurin taleban mbi Kunduz e liruan rreth 500 të burgosur, mes të cilëve kishte edhe mjaft militantë të tyre. Kryengritësit pretendojnë se kanë zaptuar territore të reja, duke marrë edhe dy zona të provincës fqinje të Takharit.

Ushtria afgane ka dërguar përforcime në rajon, e shprehet e bindur se shumë shpejt situata do të ndryshojë. Ndërkohë, luftimet kanë lënë disa të vrarë e të plagosur në radhët e forcave afgane të sigurisë, një pjesë e të cilëve e braktisi qytetin.

Krerët ushtarakë i dolën në mbrojtje tërheqjes së trupave, si një lëvizje taktike, duke thënë se qeveria ka nën kontroll pjesën tjetër të qarqeve në provincë. Rënia e Kunduzit shihet si një goditje e fortë për ekzekutivin afgan, një ditë para njëvjetorit të ardhjes në pushtet të qeverisë së unitetit të Presidentit Ashraf Ghani.

Top Channel