Tahiri, takim pune me Metën: Mazhoranca është solide

30/09/2015 13:00

Pas Nishanit e Idrizit, Ilir Meta sot ka pritur në zyrë një nga ministrat më të rëndësishëm të kabinetit qeveritar.

Saimir Tahiri është takuar me kryeparlamentarin Meta, çka ka rritur interesin për temën e bisedës mes tyre, në këto ditë ku afera CEZ është shoqëruar jo vetëm me aludimet për funksionimin e koalicionit PS – LSI, sikundër edhe me një paralajmërim të Spartak Brahos për destabilitet.

Nga Elbasani ku zhvilloi takime me krerët e policisë së këtij qarku më pas, Saimir Tahiri ka konsideruar normal takimin me Metën, si dy zyrtarë të lartë të së njëjtës mazhorancë. Ai është bërë gjithashtu i pari nga qeveria Rama që ka mohuar ekzistencën e problemeve PS – LSI.

“Koalicioni dhe maxhoranca janë mjaft solide, kanë prioritete tepër të qarta. Të gjitha fabulat që zakonisht ngrihen në këto raste janë të pavërteta”, tha Tahiri.

Gjithashtu Saimir Tahiri është bërë zyrtari i parë i lartë socialist pas thellimit të aferës CEZ, që ka mohuar një koalicion të mundshëm PS – PD, skenar që ka qarkulluar këto dite. Ministri i Brendshëm ka ironizuar një mundësi të tillë, kur tha se Lulzim Bashës duhet t’i lihet koha e mjaftueshme për ta bërë opozitën serioze si fillim.

“Opozita ka shumë rrugë përpara, dhe vitet që ka përpara do i mjaftojnë besoj për tu kthyer në opozitën e shëndoshë që ka nevojë vendi dhe qytetarët”, vijoi Tahiri.

Top Channel