Tensione në portin e Durrësit, punonjësit e kompanive të shkarkimit kundër konçesionarit

30/09/2015 13:15

Ministria e Transportit, si autoriteti kontraktual, i ka njohur të drejtën e përpunimit të anijeve tregtare kompanisë gjermane koncensionare EMS APO, punonjësit e tre kompanive rivale të ngarkim-shkarkimit në port vazhdojnë protestat.

Përpunimi në kalatën lindore është bllokuar për shkak të protestuesve, të cilët deklarojnë se koncensionari gjerman po krijon një situatë monopol, qe nxjerr të papunë afro 300 punëtorë.

“Gjendja është agravuar këto kohët e fundit. Konçesionari nuk po respekton kontratën, urdhrat e minsitrit, kontratat tona stivadore, impnon klientin të zgjedhë stivadorin e vet dhe ne nuk na ngelet gjë tjetër vetëm të protestojmë. Akoma nuk kemi një reagim në lidhje me sqarimin përfundimtar të situatës nga organet publike. Këta punëtore protestojnë për bukën e tyr. Ne kemi kontratë 10-vjeçare, nga 2009 deri ne 2019”, tha Endrit Kapaj, përfaqësues ligjor i kompanive stivadore.

Drejtuesit e kompanisë gjermane kanë kërkuar nga Autoriteti Portual ndërhyrjen e policisë për të larguar nga kalata lindore protestuesit dhe kthyer në normalitet aktivitetin e tyre.

EMS ka fituar kontratën e konçesionit për operimin në Kalatën Lindore të Portit të Durrësit më 6 maj 2013, kontratë që ka hyrë në fuqi më 15 korrik të atij viti. Në bazë të saj, kompania menaxhon të gjithë operacionet që zhvillohen në këtë kalatë, ndërkohë që për aktivitetet stivadore kërkohet liçensim i posaçëm, i cili pas reagimeve të koncensionarit dhe deklaratave diplomatike për pengim të investitorëve gjermanë në vend, i është dhënë kompanisë konçensionare.

Top Channel