Snowden hap llogari në Twitter, mijëra ndjekës brenda pak orësh

30/09/2015 13:25

Ish-agjenti i NSA-së, agjencia amerikane e sigurisë, Edëard Snowden iu bashkua rrjeteve sociale, përmes një llogarie të hapur në Twitter.

Llogaria e regjistrua thjesht @Snowden u hap ditën e hënë dhe brenda orës kapi 70 mijë ndjekës, ndërsa brenda ditës së martë, numri i personave që kishin klikuar butonin “follow” po shkonte tek 800 mijë, ndërsa këtë të mërkurë ka prekur 930 mijë persona.

Numri i atyre që po ndjekin ish-kontraktorin e NSA-së vazhdon të rritet me shpejtësi, ndërsa vetë Snowden ndjek vetëm një; ish-punëdhënësin e tij, Agjencisë Kombëtare të Sigurisë.

Postimi i parë ishte ishte “A mund të më dëgjoni tani?”, ndërsa pas tij mbërrin një tjetër, thumbues për NSA-në.

“Ndërkohë, në qindra vetë në Fort Meade (ku ndodhet selia e NSA-së), sapo hapën llogari në Twitter”, shkruan ai duke iu referuar ish-kolegëve që mund t’i vihen në ndjekje përmes rrjeteve sociale për të mësuar më shumë rreth tij.

Snowden është në kërkim që prej vitit 2013 nga autoritetet amerikane për publikimin e të dhënave sekrete të programit të përgjimit. Ai zbuloi përmasat e këtij programi, që shfrytëzohej jo vetëm për luftën kundër terrorizmit, por edhe për të përgjuar udhëheqës të vendeve të tjera, mes tyre edhe vendeve aleate në Bashkimin Europian.

Top Channel