Ndihma për viktimat e luftës, OKB: 1.8 miliardë USD për organizatat humanitare

30/09/2015 00:00

Vendet e G7-s e ato të Gjirit Persik janë zotuar t’i shtojnë me 1,8 miliardë dollarë ndihmat për agjencitë e ndihmës, që operojnë në kuadër të OKB-së.

Përgjigjja ndaj nevojave të rreth 60 milionë njerëzve të prekur nga konfliktet i ka lënë organizmat në fjalë me mungesa të mëdha në buxhet.

Përcaktimin më therës e bëri komisioneri i lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, Antonio Guterres. Këto agjenci – tha ai, – praktikisht janë “trokë” e nuk arrijnë dot të sigurojnë as minimumin e ndihmave për të shpërngulurit nga rajone konflikti si Siria, Jemeni, Iraku apo Sudani i Jugut.

Pjesa më e madhe e 1,8 miliardë dollarëve të premtuar do t’i shkojnë programit botëror të ushqimit, deklaroi ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier, vendi i të cilit mban Presidencën e radhës së G7-s.

Në fokus të ndihmave do të jenë Turqia, Libani e Jordania, të cilat strehojnë më shumë se 4 milionë sirianë të larguar nga vendi i tyre, për shkak të luftëes së përgjakshme civile.

Në këto rrethana – shtoi kryediplomati gjerman, – është detyrë e komunitetit ndërkombëtar të sigurohet që situata të mos bëhet edhe më drastike se ç’është.

Bashar al-Assadi, i mbrojtur nga Moska, po gjendet ndërkohë nën një trysni të re për të lënë postin: ministri i Jashtëm saudit, Adel al-Jubeir la të kuptohet se Assadi nuk ka zgjedhje tjetër veç largimit.

Dy janë – në këndvështrimin saudit, – mundësitë për zgjidhjen e ngërçit sirian. E para dhe më e preferuara mbetet procesi politik. E dyta është zgjidhja ushtarake, e cila do të përfundonte edhe ajo me largimin e Assadit nga pushteti, e që do të ishte më e gjatë dhe destruktive. Por, për Jubeirin, në fund i takon Assadit vetë të vendosë.

Dara rreth Presidentit sirian shtrëngohet edhe më shumë, pas njoftimeve se Franca ka nisur ndaj tij një hetim për krime kundër njerëzimit. Pohimin e bëri vetë zyra e prokurorit të Përgjithshëm në Paris, që sqaroi se gjatë hetimit do të shqyrtohen pretendimet për tortura e rrëmbime nga forcat e Assadit, në bazë të dosjes së të dhënave të dorëzuara nga Ministria e Jashtme më 10 shtator.

Top Channel