Tregtia Shqipëri-Kosovë, marrëveshje për eksportin e vezëve dhe produkteve bujqësore

30/09/2015 00:00

Shqipëria ka hapur kufirin për eksportin e vezëve nga Kosova. Deri më tani kjo ishte e pamundur, pasi Shqipëria nuk e njihte certifikatën veterinare për eksportin e vezëve nga Kosova. Njohja e saj u nënshkrua këtë të mërkurë, nga ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave të Republikës së Shqipërisë, Edmond Panariti, në Prishtinë.

“Jam këtu për të shpallur edhe përpara jush, që Shqipëria ka hapur dyert, mirëpret produktet kosovare, duke konkretizuar idenë e krijimit të një tregu të përbashkët pa barriera, pa pengesa, me lëvizje të lirë të mallrave dhe të shërbimeve. Në këtë kuadër, sapo firmosa njohjen e certifikatës veterinare, më pas do të vijojmë edhe me certifikata të tjera fitosanitare. Tashmë, Shqipëria është e hapur dhe mirëpret eksportet e vezëve nga Kosova”, tha Edmond Panariti, ministër i bujqësisë.

Ministri Panariti, në konferencën për mediat shtoi se, janë në prag të finalizimit të një dokumenti të përbashkët për njohjen reciproke të cilësisë së miellit, që pritet të nënshkruhet së shpejti në Tiranë ose Prishtinë, duke garantuar se nuk do të ketë më bllokada të produkteve ushqimore nga ana e Shqipërisë.

Ndërsa ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Kosovës, Memli Krasniqi tha se, do të ketë lehtësira edhe në eksportin e rrushit dhe se, e gjitha kjo çon në finalizimin e idesë së krijimit të një tregu të përbashkët mes dy vendeve.

“Ajo që po ndodh është fakti se, ky legjislacion është duke ndryshuar dhe nuk po ndryshon për një periudhë të caktuar kohore, por po ndryshon përgjithësisht në mënyrë përfundimtare, në mënyrë që të avancojmë arritjen e objektivit të përbashkët: krijimin e një tregu të përbashkët unik, ashtu sikurse dhe unifikimin e standardeve, qofshin ato të sigurisë, të cilësisë, por edhe ato të metodologjisë, të analizave e kështu me radhë”, tha Memli Krasniqi, ministër i bujqësisë së Kosovës.

Të dy ministrat shprehën vendosmërinë për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara mes Kosovës dhe Shqipërisë, duke shtuar se, edhe takimet ndërministrore do të jenë më të shpeshta.

Top Channel