Mustafa: Anëtarësimi në organizata ndërkombëtare sjell përfitime

30/09/2015 00:00

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa deklaroi të mërkurën, me anë të një statusi në rrjetin social Facebook se, Kosova duhet të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare, të bëhet subjekt i barabartë në vendimmarrjen botërore dhe të përfitojë nga këto vendime.

Ai tha gjithashtu se, edhe proceset që po zhvillojnë tashmë, po i bashkërendisin me SHBA-të dhe BE-në dhe kjo – sipas tij, – është e vetmja rrugë që e çon vendin përpara.

Mustafa është shprehur më tej se, qytetarët e Kosovës meritojnë të fitojnë lirinë e qarkullimit, pa kufizime me regjim vizash, si një e drejtë themelore për zhvillimin, arsimin dhe prosperitetin.

“Kemi shumë punë për të bërë. Kosova duhet të anëtarësohet në organizatat ndërkombëtare, të bëhet subjekt i barabartë në vendimmarrjen botërore dhe të përfitojë nga këto vendime. Pavarësia e Kosovës duhet të njihet edhe nga 5 vende të BE-së; na nevojitet përkrahja edhe për shumë njohje të tjera. Zhvillimi më i shpejtë ekonomik mund të bëhet vetëm mbi bazat e bashkëpunimit politik dhe diplomatik me vendet e tjera, të shtetit që bazohet në ligj dhe në rregullat e demokracisë. Këto çështje nuk mund t’i zgjidhim të vetëm, por për to na nevojitet përkrahja e përhershme dhe mirëkuptimi nga SHBA-të, vendet e BE-së dhe shumë vendeve të tjera”, shprehet Mustafa.

Në fund, ai tha se arritjet historike në ndërtimin e shtetit të Kosovës, si rast i veçantë, janë rezultat i përkrahjes së fuqishme, para se gjithash nga SHBA-të.

“Edhe proceset që po zhvillojmë tashmë po i bashkërendisim me SHBA-të dhe BE-në. Kjo është e vetmja rrugë që na çon përpara. Është rruga që kanë përkrahur qytetarët e Kosovës, me shumicën dërmuese të votës së tyre”, shprehet Mustafa.

Top Channel