Jahjaga, takim me homologun portugez. Merr mbështetje për integrimin europian

30/09/2015 00:00

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, në kuadër të aktiviteteve me rastin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, u takua këtë të mërkurë në Nju Jork me Presidentin e Republikës së Portugalisë, Anibal Cavaco Silva.

Presidentja Jahjaga dhe homologu i saj, Cavaco Silva, biseduan për thellimin e bashkëpunimit mes dy shteteve, perspektivën europiane të Kosovës dhe procesin e konsolidimit ndërkombëtar të saj.

Jahjaga falënderoi Presidentin Cavaco Silva për mbështetjen e vazhdueshme të Portugalisë për perspektivën europiane të Kosovës dhe proceset, nëpër të cilat po kalon vendi. Presidentja Jahjaga e njoftoi homologun portugez me arritjet e Kosovës dhe përkushtimin e institucioneve për të përmbushur të gjitha reformat në rrugën e saj të integrimit europian, si dhe kërkoi vazhdimin e përkrahjes së Portugalisë për perspektivën europiane të Kosovës dhe procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët vendas.

Presidentja Jahjaga kërkoi gjithashtu ndihmën e Portugalisë në përpjekjet e Kosovës për njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së saj dhe për procesin e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, përfshirë UNESCO-n.

Presidenti Cavaco Silva theksoi se, Portugalia mbetet një përkrahëse e palëkundur e Kosovës në procesin e integrimit europian, nënshkrimit sa më të shpejtë të MSA-së dhe liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Ai siguroi gjithashtu Presidenten Jahjaga se, Portugalia mbështet anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe në UNESCO dhe do të mbështesë përpjekjet për njohjen ndërkombëtare të pavarësisë me ato vende, me të cilat gëzon marrëdhënie të mira dypalëshe, në veçanti në Amerikën Latine.

Top Channel