Korçë, denoncimi i 37-vjeçarit: Gruaja e vajza ikën në Siri

30/09/2015 14:10

Një 37-vjeçar nga Korça ka denoncuar largimin e ish bashkëshortes së tij drejt Turqisë, së bashku me vajzën e mitur. Sipas të dhënave 26-vjeçarja Albana Mane, banuese në Korçë së bashku me vajzën e saj 5-vjeçare janë nisur mëse një muaj më parë drejt Turqisë, por nuk janë kthyer më.

Sipas Elio Mane, e reja shpesh shkonte jashtë shtetit për të punuar për disa javë dhe këtë herë duhet të ishte kthyer në fillim të shtatorit por kjo gjë nuk ka ndodhur. Fakti që ajo ka marrë edhe vajzen e mitur me vete ka alarmuar 37-vjeçarin, i cili ka kërkuar ndihmën e policisë, ndërsa i trembet largimit të saj të mundshëm drejt Sirisë së bashku me vajzën.

“Pasi ka ardhur e më ka kërkuar të marrë vajzën në Turqi, dhe kërkonte një akt noterial që unë të vendosja firmën, të bënim marrëveshje së bashku dhe ramë dakord që do ta sillte brenda datës 10 shtator. Sot jemi data 30 dhe vajza nuk është këtu. Nga ana tjetër ajo ka thënë që kam qënë me burrin andej dhe burri punon në fabrikë vinçash. Pas ikjes së saj marr vesh që ajo ishte ndarë nga i shoqi, dhe këtu më rezultoi që ajo më ka gënjyer mua gjë që u përforcua me mosardhjen e saj. Ndaj shtetit do të doja të më kthenin vajzën në familje”, rrëfen Elio Mane.

Nga ana e tyre blutë e Korçës kanë njoftuar se ndaj 26 -vjeçares ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë.

Top Channel