Zgjerimi i BE-së, progresraportet me mënyrë të re paraqitjeje

30/09/2015 00:00

Komisioni Europian paraqet një qasje të re për politikën e zgjerimit më 14 tetor, siç paralajmëroi komisioneri Hahn në pranverë. Një gjuhë më politike, më e dobishme, më e kuptueshme dhe me elementë krahasues premtohet për raportet e progresit të radhës.

“Me paketën e re të zgjerimit, më 14 tetor do të përdorim një stil të ri paraqitjeje, pak më politik, më të fokusuar, duke përfshirë elementë krahasimi, siç sugjerohet në raportin tuaj, si dhe fushat e veçanta, në mënyrë të tillë që të jetë mëse e qartë, se cilat janë 3 apo 4 reformat parësore, absolute, vendimtare përgjatë 12 muajve pasues. Jemi përpjekur ta bëjmë këtë raport pak më politik, më të lexueshëm dhe që të jetë në gjëndje të nxisë debatin në Parlamentin e vendit përkatës dhe me shoqërinë civile, edhe për ata që vuanin nga pagjumësia me pjesën ekonomike, kriteri ekonomik do të jetë më i kuptueshëm, më i dobishëm e më shumë interesant”, tha Simon Mordue, drejtori i Njësisë për Politika dhe Strategji, “DG NEAR”, KE.

Komisioni Europian rezulton institucioni më i dëmtuar i BE-së nga “nacionalizimi i politikës së zgjerimit” prej 28 kryeqyteteve europiane, siç vëren dokumenti me 250 faqe, publikuar nga  EPC (Qëndra e Politikave Europiane) dhe “Roli i vendeve anëtare në zgjerimin e BE-së me Ballkanin” ishte tema e dialogut për panelin e mbledhur nga EPC dhe “DG NEAR”.

“Në fakt, përshtypja e krijuar është se vendet anëtare e injorojnë, apo e lënë mënjanë opinionin e Komisionit Europian, për progresin e bërë nga vendet e zgjerimit dhe mbi situatën në terren, duke lejuar që në vend të tij, konsideratat nacionaliste të prodhojnë vendime politike mbi dosjen.

Sigurisht që, kur besueshmëria e Komisionit dhe e procesit të ndjekur prej tij është minuar, për pasojë kjo dëmton fuqinë transformuese të BE-së te këto vende, sikundër dhe përpjekjet për reforma tek aspirantët e Ballkanit.

Komisioni është përpjekur të jetë më inovator duke gjetur mënyra, që procesi të vijojë edhe për vendet e Ballkanit, që duken disi më të bllokuara. Për shembull, kemi strategjinë e dialogut të nivelit të lartë, pak a shumë në fuqi me të gjitha vendet e rajonit, përfshirë Shqipërinë, dhe tashmë e dimë se Komisioni po shikon sesi të paraqesë progresraportin, në mënyrë që t’i ndihmojë vendet si Shqipëria, për të kuptuar më mirë se ku ndodhen me këtë proces, individualisht, por edhe në krahasim me vendet e tjera, çfarë shpresoj se do të nxisë një konkurrencë konstruktive mes aplikuesve”, tha Corina Stratulat, analiste e politikës së zgjerimit, EPC.

Studimi i EPC-së përmban një sërë rekomandimesh ndaj Brukselit për rishikim të metodologjisë, të gjuhës, të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe për rindërtimin e besimit të humbur me raportet paraardhëse të progresit, ku vendet anëtare vërejnë, sipas hartuesve, përzgjedhjen selektive të Komisionit për të shtyrë përpara procesin për disa vende të Ballkanit.

Dokumenti analizon ndryshimin e sjelljes te vendet anëtare të BE-së, ku në 5 vitet e fundit vërehet një rënie e ndjeshme e përkrahjes së opinionit publik për zgjerimin e mëtejshëm të unionit. Kjo justifikohet me mungesën e informacionit te publiku europian, mbi procesin dhe popullsinë reale të Ballkanit, si dhe me frikën në rritje nga fluksi i refugjatëve dhe numri i lartë i kërkesave për azil nga qytetarët e rajonit.

Studiuesit europianë vlerësojnë se, ndërsa për Greqinë zgjerimi mbetet një politikë kombëtare, ngritja e çështjeve dypalëshe përgjatë këtij procesi është përdorur gjerësisht nga vendet anëtare, sidomos pas vitit 2010. Gjermania kryeson tashmë grupin e vendeve aktive përkrahëse, e ndjekur nga Franca, Italia, Austria, Sllovenia, Kroacia, etj., ndërkohë që hezitimi i  Londrës për të qëndruar në BE çoi në tkurrjen drastike të mbështetjes për politikën e zgjerimit.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel