Bregu: Një datë për bisedimet; BE: Drejtësia dhe dekriminalizimi, sfidat kyçe

30/09/2015 00:00

Shqipëria përfaqësohej me kryetaren e Këshillit Kombëtar të Integrimit, Majlinda Bregu, në panelin e mbledhur enkas për dialogun mbi politikën e zgjerimit të BE-së në Bruksel, nga EPC dhe Drejtoria e Përgjithshme përkatëse e KE.

“Kam vënë re se, sa herë flasim për historinë e integrimit europian të vendeve të Ballkanit, gjithmonë flasin vendet anëtare të parët, e kjo duket njësoj me situatën kur dikush ju pyet dhe mami përgjigjet për ju”, tha Majlinda Bregu, deputete demokrate.

Përtej “stabilitetit të rajonit”, standardi për demokracinë dhe qeverisjen e mirë duhet monitoruar, që ky proces të mos jetë i pambarimtë për vendet e Ballkanit, argumentoi ish-ministrja e Integrimit, Bregu. Sipas saj, me deklaratën se “nuk ka zgjerim për 5 vitet e ardhshme”, Komisioni nxiti qeveritë e rajonit që të fokusohen në axhendat e tyre kombëtare gjatë mandatit 4-vjeçar.

Ajo këmbënguli për më shumë “gjëra konkrete” nga Brukseli në vend të “retorikës boshe”, duke përsëritur edhe kërkesën mbi përgatitjen e vendit pa humbur kohë për negociatatat me BE-në në të ardhmen, kur u pyet “nëse kishte ndryshuar pikëpamjen e saj mbi integrimin me kalimin nga qeveria në Parlament”.

“Ka një paradoks në ditët e sotme, sepse, ndërsa procesi duket se i afrohet realizimit, nuk ka asnjëherë një datë përfundimtare për destinacionin. Kjo e bën procesin të vështirë. Rrit pritshmëritë, por pa një kalendar, dhe ky nuk është mesazhi i duhur për qeveritë tona, deri më tani. Mesazhet e buta, apo lyerjet me gjalp kikiriku, siç serviren në raportet e përgatitura nga Komisioni, me gjithë respektin nuk ndihmojnë vendet tona. E vërteta është aty. Nëse ka standarde që mungojnë, ne duhet të ecim dhe ju duhet të na ndihmoni edhe më shumë, që ato të vendosen. Gjithmonë merr kohë, por duhet të na mbajë gjallë sfidën dhe dëshirën, e jo të rrimë të presim me frymën se, kur do të tresin vendet anëtare zgjerimin. Nuk e kisha vënë re më parë kur isha në qeveri, sepse kur je në pushtet angazhohesh për të arritur rezultate në fund të ditës dhe beson realisht se Parlamenti është aty për të të mbështetur, ndërkohë që kjo nuk është e gjithmonë e vërtetë, e në parim as që duhet të ndodhë kështu. Parlamenti është aty për të të mbikëqyrur. Tani në Kuvend e ndiej rëndësinë madhore të rolit të Parlamentit për të mbikëqyrur këtë proces, por edhe këtu mungon ndjekja për çfarë themi. Unë nuk shoh ndonjë dokument të Parlamentit, Komisionit apo Këshillit të BE-së që t’i referohem, pra ne flasim, diskutojmë, pajtohemi për një propozim dhe më pas ky ndiqet pak, ose aspak”, u shpreh deputetja demokrate, Majlinda Bregu.

Përfaqësuesi i KE-së reagoi menjëherë më pas dhe kujtoi anëtarësimin e Kroacisë, negociatat me Malin e Zi, kandidaturat e Serbisë dhe Shqipërisë, MSA-të me Bosnjen dhe me Kosovën, si zhvillime që dëshmojnë për vazhdimin e procesit të zgjerimit. Tirana u përmend disa herë gjatë ndërhyrjeve të tij, veçanërisht për reformën e gjyqësorit dhe konsensusin ndërpartiak.

“Duhet të jemi shumë të kujdesshëm, që nocioni i ‘procesit’ të mos zëvendësohet nga ‘angazhimi për reforma’. Në më të shumtën e rasteve është mjaft e qartë, se cilat janë reformat për t’u realizuar për t’i lejuar vendit ecjen përpara në këtë proces. Në rastin e Shqipërisë, për shembull, reforma për sistemin e drejtësisë është vendimtare për të analizuar fazën e radhës të procesit të Shqipërisë. Në këtë kuadër është ekstremisht inkurajuese puna e bërë në terren dhe duket se ka një konsensus në rritje dhe vendosmëri të të gjitha partive politike për të punuar mbi të, sepse në të kaluarën, siç e njohim, një prej vështirësive kryesore, që e hasim ende në Ballkan, është mungesa e konsensusit ndërpartiak për të punuar së bashku mbi axhendën e integrimit europian. Dy sfidat kyçe, me të cilat përballet Shqipëria tani, janë reforma e drejtësisë dhe dekriminalizimi dhe për ne është inkurajuese të shohim se ka lëvizje për konsensus të gjerë ndërpartiak, e mendoj se ky do të ishte një sinjal i fortë pozitiv nga qeveria dhe opozita në Shqipëri. Shqipëria mori statusin e vendit kandidat dhe po ecën, për mendimin tim, mjaft  mirë në drejtim të çeljes së negociatave në të ardhmen. Kjo tregon se, pavarësisht të gjithave, është e qartë si kristali që procesi, megjithëse nuk po ecën me shpejtësinë e dëshiruar, po vazhdon përpara, ndaj projektimi i vizionit është shumë i rëndësishëm. Kjo, për të mbyllur tregimet se zgjerimi është i mundur vetëm në teori, sepse nuk është ashtu. Janë reformat dhe angazhimi i qeverive për ato reforma, që e mbyll këtë punë”, tha Simon Mordue, drejtori i Njësisë për Politika dhe Strategji, “DG NEAR”, KE.

Edhe pse nuk pritet ndonjë rekomandim pozitiv për nisjen e negociatave të anëtarësimit, KE publikon vlerësimet për Shqipërinë më 14 tetor, krahas raporteve të progresit për vendet e tjera të Ballkanit dhe për Turqinë.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel