AP për fëmijët romë: Largohen se i mohohen të drejtat

30/09/2015 14:25

Shumica dërrmuese e të miturve shqiptarë që kapen në vendet e BE-së të pa shoqëruar, i përkasin komunitetit rom. Në aktivitetin përmbyllës të një projekti për mbështjetjen e fëmijëve rom,Aavokati i Popullit Igli Totozani ka thumbuar institucionet shtetësore përkatëse duke theksuar se kanë neglishuar rekomandimet që kanë ndikur në shtimin e këtij fenomeni.

“Mënyra më e mirë për ti penguar që fëmijët e pashoqëruar po dhe të miturit romë të ikin nga ky vend është vetëm një: çdo udhëheqës, çdo qytetar duhet të pyes veten pse ikin? Dhe pasi të gjejë këtë përgjigje, përgjigje që ne si institucion i Avokatit të Popullit kemi disa vite që e kemi gjetur, po nuk po e gjejnë strukturat shtetërore. Ne do munohemi vazhdimisht t’i ndihmojmë ta gjejnë, vetëm duke iu përgjigjur pyetjes pse ikin? Ne do i ndalojmë ata të mos ikin ”, tha Totozani.

E pranishme në këtë aktivitet, zv.ministrja e Brendshme Elona Gjebrea theksoi se në kufi janë shtuar masat për deklaratat noteriale të prindërve.

“MPB ka reaguar përsa i përket përmirësimit të instrumentave që kanë të bëjnë me adresimin më të mirë këtij fenomeni. Doja të sillja në vëmendjen tuaj dy dokumenta. E para e datës 7 shkurt, që ka të bëjë me një përmirësim të deklaratës noteriale të prindërve në rastet kur fëmija udhëton jashtë shtetit pa shoqërimin e tyre. Prindi firmos që është përgjegjës që nëse fëmija i tij gjendet në mënyrë të parregullt në territorin jashtë Shqipërisë ka detyrimin që ta marr dhe të kujdeset për fëmijën dhe ka penalitete në lidhje me këtë”, u shpreh znj. Gjebrea.

Sipas statistikave, fëmijët rom mbeten më të rrezikuarit që mund të bien pre e trafiqeve të ndryshme.

Top Channel