Kosovë, ASK: Tregtia me pakicë pëson rritje

30/09/2015 00:00

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Statistikat e tregtisë me pakicë” për tremujorin e dytë të vitit 2015.

Në bazë të të dhënave të prezantuara, në tremujorin e dytë të vitit 2015, krahasuar me tremujorin paraprak, ka pasur rritje me 36.8% të tregtisë me pakicë të pajisjeve informatike dhe atyre të komunikimit në dyqane të specializuara; tregtisë me pakicë të mallrave kulturore dhe të argëtimit me 30.8%; tregtisë me pakicë të karburantit për automjete me 21.3%; tregtisë me pakicë të pajisjeve të tjera shtëpiake me 17.3%; tregtisë me pakicë jo në dyqane, por në tezga ose tregje me 3.8%; tregtisë me pakicë në dyqane jo të specializuara me 2.8%; dhe tregtisë me pakicë të mallrave të tjera në dyqane të specializuara me 0.9%.

Ndërsa, nëse krahasojmë të dhënat e këtij tremujori me ato të tremujorit të dytë të vitit 2014, rritje kanë shënuar tregtia me pakicë e karburantit për automjete me 34.0%; tregtia me pakicë e mallrave të tjera me 13.7%; tregtia me pakicë jo në dyqane, por në tezga ose tregje me 2.3%; tregtia me pakicë e pajisjeve informatike dhe atyre të komunikimit me 2.0%; dhe tregtia me pakicë në dyqane jo të specializuara me 1.9%.

Top Channel