Gjen pas 40 vjetësh infermieren që u kujdes për të

30/09/2015 14:55

Kjo është nga ato histori që të tregon se bota është e rumbullakët dhe se fatet një ditë të takojnë sërish. Kështu ka ndodhur me Amanda Scarpinati, e cila pas pothuajse 40 vjetësh ka gjetur njeriun që u kujdes për të, kur ajo ishte vetëm 3 muajshe.

Amanda ishte shtruar në spital shumë e vogël për shkak të disa djegieve në trup, që kishte pësuar nga një ngjarje aksidentale në shtëpi. Spitali ku ajo u shtrua, Albany Medical Center, kishte nxjerrë në raportin vjetor më 1977 një foto të Amandës 3 muajshe në spital bashkë me një infermiere, e cila ishte kujdesur më së miri për vogëlushen. Vite më vonë Amanda e gjeti sërish këtë foto dhe vendosi të gjente infermieren zemërmirë. Pas shumë kërkimesh dhe pa rezultate, ajo vendosi të postojë foton në Facebook duke kërkuar ndihmë në identifikimin e saj.

Postimi i Amandës u shpërnda mbi një mijë herë derisa më në fund morri një përgjigje. Angela Leary, një tjetër infermiere e spitalit Albany, e njohu vajzën që mbante në dorë një fëmijë 3 muajsh. Leary nuk kishte folur me Susan Berger prej 35 vjetësh, por e njohu atë menjëherë nga fotot.

“Ajo ka qënë po kaq e ëmbël dhe e kujdesshme siç duket dhe në foto. Ajo e dashuronte punën e saj dhe kujdesej si për fëmijët dhe të rriturit”, i ka shkruar Leary në mesazh Scarpinatit.

Në 1977, Berger ishte 21 vjeçe, një e sapodiplomuar që kishte filluar punë në pavionin e pediatrisë në Albany Medical Center. “Unë e mbaj mend Amandë. Ajo ishte shumë e qetë. Zakonisht fëmijët kur operohen ose flenë, ose qajnë pa fund. Por ajo ishte shumë e qetë. Ishte e mrekullueshme”, kujton Berger për Associated Press. Sot, Susan Berger është zv. Presidente ekzekutive e Cazanova College në New York.

Pasi e gjeti Amanda i telefonoi Susan për ta falenderuar për kujdesin e saj, ku i rrëfeu se po e kërkonte prej vitesh.

“Nuk e di se sa infermiere do të ishin kaq me fat sa ti ndodhë diçka e tillë, të kenë dikë që i mban mend për një kohë kaq të gjatë. Ndihem e privilegjuar që jam një prej tyre që përfaqësoj të gjitha infermieret që janë kujdesur gjithë jetën për Amandën”, ka thënë Berger.

FOTO GALERI
1/2
Amanda Scarpinati gjeti infermieren pas një postimi në Facebook

Top Channel