Basha: Dyshja Rama-Meta e keqja e vendit

30/09/2015 00:00

Lulzim Basha e distancoi Partinë Demokratike nga çdo skenar i përfolur se opozita mund të bëjë ndonjë veprim politik që, në aferën “CEZ”, favorizon Ramën në dëm të Metës apo anasjelltas.

Sipas Lulzim Bashës, Edi Rama dhe Ilir Meta janë vetë e keqja dhe do të vazhdojnë të dëmtojnë interesat e vendit përsa kohë do të qëndrojnë në pushtet.

Kreu i opozitës thotë se i vetmi shërbim që ata mund të bëjnë tani, është mbështetja për hetimin ndërkombëtar.

“Kërkojmë votë konsensuale për hetimin. Presim nga Prokuroria të bëjë gjithçka. Asgjë nuk na ndal në këtë betejë, as diversioni i trashë, as i hollë i Ramës dhe Metës, as puthjet e tyre, as intrigat e tyre. Kjo është histori e malavitës, por që bashkohen rreth presë së përbashkët, që është pushteti”, tha Basha.

Në analizën e opozitës, afera “CEZ” ka rrëzuar legjitimitetin e Qeverisë.

“Zien Shqipëria dhe Rama nuk flet. Është rob i politikës së intrigës. Si mund e vazhdojë qeverisja kur të dy e kanë kapur njëri-tjetrin me skandal? Qeveria nuk ekziston më. Mund të kacavirret me kartona, por jo si shumicë legjitime”, u shpreh Basha.

Top Channel