Barrierat e biznesit, Forumi Ekonomik: Taksat e larta, mungesa e financimit dhe korrupsioni

30/09/2015 00:00

Për herë të parë, sipërmarrjet në Shqipëri rendisin taksat e larta, si pengesën më të madhe për të bërë biznes. Përfundimi del nga raporti i fundit i konkurrueshmërisë globale, i cili pas taksave rendit aksesin në financim dhe korrupsionin, si barrierat më të mëdha për bizneset.

“Kujtoj se vitin e kaluar ishte korrupsioni problemi më shqetësues për biznesin vendas. Këtë vit korrupsioni është i treti edhe pse, siç ne e kemi parë këto ditë, realisht nuk është se korrupsioni është ulur. Përkundrazi, mbetet ende një problem shqetësues. Megjithatë, pavarësisht të gjitha këtyre problemeve, bizneset kanë nxjerrë taksat e larta si pengesën kryesore, çfarë tregon se ky problem duhet adresuar”, tha Ilir Ciko, pedagog i lëndës së Konkurrueshmërisë.

Raporti i konkurrueshmërisë globale konsiderohet si një nga treguesit më të plotë mbi gjendjen e një ekonomie, duke integruar brenda tij mbi 140 indekse, nga ambienti makroekonomik te zhvillimi i infrastrukturës dhe treguesit humanë e socialë. Këtë vit, raporti e rendit Shqipërinë në vendin e  93-të ndër 140 vende të botës, me një përmirësim prej 4 vendesh krahasuar me vitin e kaluar.

“Në thelb kemi një kthesë pozitive, sado i ulët që është ky ndryshim apo pothuajse i papërfillshëm. Kjo pasi, gjatë gjithë viteve të fundit, duke nisur prej 2011-s kemi pasur vetëm rënie në vazhdimësi në treguesit e këtij raporti. Është hera e parë që pas kaq vitesh kemi një tendencë që duhet vlerësuar”, thotë më tej Ciko.

Por edhe me këtë përmirësim, Shqipëria mbetet sërish ekonomia me nivelin më të ulët të konkurrueshmërisë në rajon. Dhe kjo ka pasoja të drejtpërdrejta mbi mirëqenien e qytetarëve.

“Është treguesi më i afërt që lidh nivelin e mirëqenies së një vendi, reflektuar më së miri – ndoshta jo në mënyrë perfekte, – nga të ardhurat për frymë në një vend e që lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me nivelin e produktivitetit. Ky i fundit reflektohet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga niveli i konkurrueshmërisë së atij vendi”, shprehet Ciko.

Indeksi i konkurrueshmërisë globale publikohet nga Forumi Ekonomik Botëror. Të dhënat tregojnë se ka një lidhje të drejtpërdrejtë mes këtij indeksi dhe nivelit të mirëqenies, teksa sa më konkurruese të jetë një ekonomi, aq më i lartë është niveli i të ardhurave mesatare për qytetarët e saj.

Top Channel