Librazhd, SHÇBA arreston specialistin e krimeve për korrupsion pasiv

30/09/2015 00:00

Strukturat e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Punëve të Brendshme, njoftuan këtë të mërkurë, rreth orës 15:45, arrestimin e një punonjësi policie të identifikuar si Kol Zaja, 40 vjeç, me detyrë specialist për Krimet në Komisariatin e Librazhdit, i akuzuar për “korrupsion pasiv”.

Zajës iu vunë prangat për shkak se Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan kishte vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për 40-vjeçarin, ndërkohë që hetimet ndaj tij janë kryer në bashkëpunim me Task-Forcën e Prokurorisë së Elbasanit.

Ngjarja për të cilën akuzohet nënkolonel Zaja daton më 28 gusht të këtij viti, kur Zaja, në cilësinë e oficerit të policisë gjyqësore, ka administruar një kallëzim penal të depozituar nga një shtetase, për pasojë të të cilit është shpallur në kërkim policor shtetasi M.B.

Me t’u njohur me këtë masë, shtetasi në fjalë është paraqitur në Komisariatin e Policisë së Librazhdit për t’u njohur me detaje të mëtejshme, por specialisti i Krimeve Zaja i kishte premtuar atij se do ta hiqte nga kërkimi policor dhe nuk do ta arrestonte, nëse ofronte shumën prej 100 mijë lekësh. Për këtë, ai siguronte se do të ndërhynte edhe në Prokurori për t’i mbyllur çështjen.

Top Channel