Afganistan, talebanët forcojnë pozitat në Kunduz

30/09/2015 17:05

Guerrilasit talebanë kanë marrë nën kontroll një zonë kodrinore në qytetin e Kunduzit, duke përforcuar pozitat e tyre në veri të Afganistanit.

Puhstimi i zonës Bala Hisar erdhi pavarësisht përpjekjeve të bëra nga trupat qeveritare, të mbështetura nga NATO për të rimarrë kontrollin në qytet.

Kjo i lë ushtrisë aeroportin si bastionin e saj të fundit. Talebanët nisën ofensivën në Kunduz ditën e hënë, që ishte dhe avancimi më i madh ushtarak i tyre që nga humbja e pushtetit në vitin 2001.

Luftëtarët rebelë e kishin bllokuar fortesën e Bala Hisar për dy ditë. Atje ndodheshin një numër i konsiderueshëm i stafit të forcave të armatosura afgane, fati i të cilëve nuk dihet ende.

Vonë gjatë së martës, talebanët u përpoqën të merrnin edhe aeroportin, por dy sulme ajrore amerikane ndalën avancimin e tyre.

Për shkak të shkallës së lartë të përleshjeve që vazhduan gjatë gjithë natës, autoritetet e kanë pasur të pamundur llogaritjen e numrit të viktimave.

Rënia e Kunduzit përbën një fitore për talebanët, çfarëdo që të ndodhë tani e më tej. Edhe nëse rebelët dëbohen nga një kundër-ofensivë e ushtrisë, ata do ta lënë atë të shkretëtuar pasi e kanë bastisur fund e krye, përfshirë këtu bankat duke marrë rezervat me para.

Top Channel