“Post Drin”, një “Cinema paradiso” për qytetin e Lezhës

30/09/2015 00:00

Kamera e “Pasdite në Top Channel” ka qenë në një prej sallave të Pallatit të Kulturës “Ded Ndue Lazri” në Lezhë. Sot, pas 21 vitesh, qyteti po bëhet gati të mirëpresë “Post Drin”, një projekt modest, që do t’u rikthejë qytetarëve magjinë e kinemasë së munguar që nga viti 1994.

Lezen, mësuesen e muzikës, kjo nismë e bën nostalgjike rreth kinemasë së dikurshme të qytetit, Drinin.

“Dikur vija shpesh në kinema Drini. Kohën e lirë e kaloja aty. Filmi që më ka pëlqyer më shumë ka qenë ‘Shamikuqja’”, thotë Lezja.

Më entuziastët duket se janë të rinjtë e Lezhës. Po kush ia riktheu kinemanë qytetit? Grupi i 21 të rinjve të Lezhës, “Vizioni rinor”, i njohur për një sërë nismash pozitive në qytet.

Zgjedhja e filmit të parë të shfaqur në “Post Drin”, “Dritat e qytetit tim” nga Charlie Chaplin, i përket një simbolike të veçantë.

Thonë se kinemaja është mashtrimi më i bukur në botë. Tashmë, në listën e të “mashtruarve” do të jetë çdo banor i qytetit të Lezhës, që kohën e lirë do të zgjedhë ta kalojë aty.

Top Channel