Kur ritmi i jetës nuk ndryshon, edhe pse janë pensioniste

30/09/2015 00:00

Ato janë të gjitha në moshën e pensionit. Ditët e punës kanë mbaruar, por këto gra e kanë gjetur një mënyrë sesi të organizojnë ditën e tyre. Herë shumë e herë pak, mblidhen në shtëpinë e Fadile Skëndajt, ku kalojnë kohën, e siç thotë Xhuljeta Mankolli qajnë edhe hallet.

“Kemi gjetur këtu një ambient shumë të këndshëm, për relaks, pasi siç e shihni është gjithë ky jeshillëk. Këtu mblidhemi 2-3 herë në javë dhe pimë kafet e mëngjesit si dhe qajmë hallet tona të përditshme. Kemi një shoqëri të këndshme, jemi zonja dhe nikoqire. Ajo na mëson për shumë gatime që nuk kemi ditur, këtu marrin shumë nga njëra-tjetra”, thotë Xhuljeta.

Zonja Fadile është mjaft e njohur për zonën, e puna si arsimtare e ka lidhur me shumë njerëz. Raportet miqësore vazhdojnë, e siç tregon Vjollca Aliaj, nxënësit që ajo ka edukuar nuk e harrojnë.

“Sa herë që shkoj te doktoresha për t’u vizituar, kthehem këtu të pi një kafe e të qetësohemi, sepse ajo më ka ndihmuar jashtë mase. Nipërit i ka nga 27 vjeç dhe sa herë që kjo ka ditëlindjen, ata i vijnë dhe i sjellin tufën me lule. Veç tyre ka edhe vajzën dhe mbesat këtu pranë, është një zonjë dhe femër e rrallë”, thotë Vjollca.

Fadile Skëndaj është më e reja në grupin e këtyre grave, për të cilat mosha nuk ka ndonjë rëndësi të veçantë, pasi periudhën e pensionit e shikojnë thjesht si fundin e një profesioni.

“Kur vjen mosha e daljes në pension, të them të drejtën është njëfarë stresi. Kjo, sepse mendon që nuk do të jesh më në jetën shoqërore, nuk do jesh me fëmijët që ke rritur dhe edukuar, nuk do jesh më në të gjitha gëzimet që ka kolektivi. Por, edhe pse nuk ke moshën, forcën dhe energjinë e dikurshme, ke shpirtin e ri”, thotë Fadilja.

Top Channel