Afera e CEZ, Rama: Sajesë e opozitës; të flasë prokuroria shqiptare

30/09/2015 18:35

Një “përfolje të madhe” e ka quajtur kryeministri Edi Rama aferën e CEZ, në një intervistë për Zërin e Amerikës.

“Është një përfolje e madhe dhe mua s’më mbetet tjetër veçse të përmend shprehjen ‘fali Zot se s’dinë se ç’bëjnë’. Këtu s’dijnë se ç’bëjnë të gjithë, edhe ata që akuzojnë edhe ata që komentojnë, sepse çështje të CEZ, e ashtuquajtur çështje, nuk ka”, ka deklaruar Rama.

Ai ka nënvizuar se, marrëveshja e qeverisë me kompaninë çeke është trajtuar sipas standardeve ndërkombëtare dhe ka qenë, sipas tij, “një domosdoshmëri për të çliruar kompaninë nga kthetrat që e kishin kapur për shkak të keqadministrimit, me 1 miliard borxhe të akumuluara dhe për shkak të ndërhyrjeve shumë brutale të qeverisë së mëparshme”.

Për të gjitha të tjerat, ai i ka ftuar akuzuesit që t’i drejtohen institucioneve. “I ftoj të gjithë ata që kanë akuza apo aludime t’i drejtohen institucioneve përkatëse dhe të gjejnë gjithçka që duan të gjejnë, apo pretendojnë se mund të gjejnë nga ky proces”, ka thënë Rama.

Për qeverinë shqiptare, ka vijuar ai, kjo çështje është mbyllur me sukses të plotë. “Të gjitha të tjerat janë pjesë e një çoroditjeje të madhe që karakterizon opozitën dhe median. Është një mjegull e pakuptimtë, e ngritur nga një zogori personazhesh që shtrihen nga selia e PD tek burime të informacionit, që deformojnë informacionin”, ka thënë Rama.

Sipas tij, studioja ligjore e tërhequr në këtë “debat absurd” nga media të caktuara ka sqaruar se nuk ka asnjë referencë nominale për kreun aktual të Kuvendit.

“Prokuroria ka një hetim dhe është ajo që duhet të flasë. Qeveria dhe unë s’kemi asnjë lidhje me këtë diskutim absurd që është kthyer në një spekulim kolosal. I takon prokurorisë ta çojë deri në fund dhe të japë versionin e së vërtetës”, ka shtuar Rama.

Duke komentuar kërkesën e opozitës dhe aletatit LSI për një hetim të huaj, kryeministri ka vlerësuar se, Shqipëria ka një legjislacion të vetin ku ka hapësirë për të bërë hetim për këdo e gjithçka.

“Por fatkeqësisht këtu ka një tjetër spekulim skandaloz, të cilin mediat nuk po e zbardhin, sepse nuk ka asnjë pengesë për asnjë lloj hetimi në marrëveshjen e bërë për zgjidhjen e problemit të trashëguar, që e krijoi qeveria e kaluar. E krijuan ata që sot, nga të akuzuar na dalin si akuzues”, ka thënë Rama.

Më tej ai ka hedhur poshtë edhe zërat për një ftohje të koalicionit me LSI-në. “Ne jemi në një koalicion qeverisës që funksionon plotësisht. Qeveria është në detyrë dhe unë jam në krye të detyrës”, ka shtuar Rama. 

Top Channel