Tregtia e skllevërve, Karaibet kërkojnë dëmshpërblim nga Britania

30/09/2015 19:25

Vendet e Karaibëve kanë kërkuar nga Mbretëria e Bashkuar dëmshpërblime për dëmet e shkaktuara gjatë periudhës së tregtisë historike të skllevërve që bëhej nga Britania.

Por kryeministri David Cameron, gjatë një vizite në Xhamajkë, e ka përjashtuar një mundësi të tillë dhe u ka bërë thirrje këtyre vendeve që të ecin përpara.

Deklaratat e Cameron, se skllavëria “ka lënë plagë të thella”, janë konsideruar si një kërkesë për falje. Por ai theksoi se, roli i sotëm i Britanisë për zhdukjen e skllavërisë “nga faqja e planetit” duhet të kihet parasysh nga të gjithë.

Duke folur në Parlamentin xhamajkan, kryeministri tha se skllavëria është diçka e tmerrshme në të gjitha format e saj.

“Unë shpresoj që si miq që kemi kaluar shumë peripeci së bashku që prej atyre kohëve të errëta, të mund të ecim përpara dhe të ndërtojmë të ardhmen tonë”, tha Cameron.

Ai njoftoi edhe një seri ndihmash financiare prej 25 milionë stërlinash për burgun e ri xhamajkan dhe 300 milionë të tjera në formë grantesh për infrastrukturën e ishujve të Karaibeve.

Ndërkohë, kryeministrja xhamajkane, Portia Simpson Miller deklaroi se e kishte ngritur çështjen e dëmshpërblimeve gjatë bisedimeve kokë më kokë me homologun britanik.

Për më shumë se 200 vjet, Britania ka qenë zemra e tregtisë transatlantike të miliona skllevërve afrikanë.

Vlerësohet që rreth 12.5 milionë persona të jenë transportuar si skllevër nga Afrika në dy Amerikat dhe në Karaibe, për të punuar në kushte çnjerëzore në plantacione. Ky aktivitet ka zgjatur nga shekulli XVI deri në vitin 1807, kur kjo tregti u ndalua.

Top Channel