Carmina Burana, e konsideruar si vepra më e luajtur klasike e shekullit XX, vjen premierë më 4 tetor në TKOB, sipas konceptit të koreografit hungarez Youri Vamosh.

Kjo shfaqje është për drejtorin Kerni një ndër ngjarjet më të mëdha të vitit për këtë institucion, ku do të përfshihen 200 artistë në skenë mes balerinëve, korit e orkestrës. Kjo e fundit, nën drejtimin e dirigjentit shqiptaro-gjerman  Desar Sulejmani. 

Thelbi i konceptit të koreografisë së Vamosh është qëndrimi i sekseve të kundërta ndaj ligjeve të natyrës.

“Është lufta mes burrit e gruas, dhe një gjueti alegorike mbi lumturinë seksuale. Burrat duan të jenë gjahtarë, por kjo sigurisht nuk funksionon. Ajo që funksionon është harmonia”, shpjegon Vamosh.

Dirigjenti Desar Sulejmani thotë: “Koncepti i kësaj shfaqjeje është pak ndryshe. Orkestra dhe kori do të jenë të gjithë në skenë, për këtë arsye do të shikoni një skenë mjaft të madhe”. 

Carmina Burana, pas premierës së datës 4, do të shfaqet edhe më 7 e 8 tetor.

Top Channel