Kosova merr mbështetjen e Bullgarisë për anëtarësim në UNESCO

30/09/2015 21:50

Bullgaria mbështet Kosovën në rrugën e saj drejt anëtarësimit në organizata ndërkombëtare si Unesco dhe Interpol. Kjo bëhet e ditur në një komunikatë të qeverisë së Kosovës në lidhje me aktivitetet e kryeministrit Isa Mustafa në Nju Jork.

Kryeministri kosovar, në vazhdën e takimeve lobuese, zhvilloi një takim edhe me Presidentin e Bullgarisë, Rosen Plevneliev. Siç thuhet në komunikatë, kryeministri Mustafa e njoftoi Presidentin e Bullgarisë për proceset e integrimit, me theks të veçantë për Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit dhe liberalizimin e vizave, gjithashtu për anagazhimin e Kosovës për anëtarësim në UNESCO, në INTERPOL, si dhe në organizata të tjera ndërkombëtare, duke kërkuar përkrahjen e Bullgarisë. 

Në këtë kuadër presidenti Plevneliev theksoi se Bullgaria do të përkrahë anëtarësimin e Kosovës në UNESCO dhe në INTERPOL për avancimin e proceseve integruese evropiane si dhe premtoi përkrahje për Kosovën në fuqizimin e subjektivitetit dhe rolit ndërkombëtar dhe rajonal.

Top Channel