Kosovë, ndotje alarmante në Obiliq; Veseli: Ligji i ri shpëton komunën

30/09/2015 00:00

Shtohet numri i të prekurve me sëmundjen e kancerit në komunën e Obiliqit, ku termoncentralët e prodhimit të energjisë elektrike në fakt ka kohë që janë shndërruar në problem kryesor të kësaj komune nga ndotja që shkaktojnë.

Janë 30 raste të reja të diagnostifikuara me kancer vetëm këtë vit, pa përfshirë sëmundjet e tjera të frymëmarrjes, bëri të ditur kryetari i komunës gjatë vizitës së kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.

Vizita e Veselit ndodh një ditë para se Kuvendi të votojë për projektligjin për zonën e rrezikuar të Obiliqit, që duket se ka ngjallur sado pak shpresat e autoriteteve komunale dhe banorëve për një zgjidhje të problemit të ndotjes mjedisore.

“Duke ardhur këtu, edhe ju sigurisht e keni parë tymin e Obiliqit nga “Kosova A”, një tym i zi që vjen për ngrohjen e shtëpive tona. Besoj dhe jam i bindur se gjithë Kosova i detyrohet komunës së Obiliqit dhe qytetarëve të saj, që t’ua shpërblejë këtë sakrificë për prodhimin e energjisë elektrike për tërë qytetarët e Kosovës. Nesër besoj se tërë deputetët do ta votojnë projektligjin për këtë zonë me një votë unanime, në mënyrë që të krijohet një përkrahje e veçantë e që të parandalohet ndotja e ambjentit”, deklaroi Veseli për mediat.

“Obiliqi në këto rrethana në të cilat ndodhet konsiderohet krenaria e Kosovës, por në të vërtetë qytetarët po e përjetojnë shumë rëndë këtë situatë. Kemi probleme të shumta, pasi kur shpërndahet energji elektrike për tërë Kosovën, reduktimet më të mëdha janë në komunën tonë. Në komunën e Obiliqit kemi 30 raste të reja të sëmundjeve me kancer, pa llogaritur këtu sëmundjet e tjera të frumëmarrjes. Ndaj ne shpresojmë që ky ligj do t’i zgjidhë këto probleme”, deklaroi Xhafer Gashi, kryetar i Komunës së Obiliqit.

Qëllimi i projektlligjit për zonën e rrezikuar mjedisore është përcaktimi i komunës së Obiliqit si zonë me rrezik të veçantë mjedisor, si pasojë e ndotjes së vazhdueshme të ajrit, tokës dhe ujit nga prodhimi i energjisë nga thëngjilli dhe mospërdorimit të filtrave të duhur.

Përveç politikave për menaxhimin e kësaj zone, projektligji parasheh zhvendosjen e popullatës nga zonat të cilat nuk i plotësojnë kushtet e jetesës sipas standardeve europiane, trajtimin e nevojave shëndetësore që vijnë si pasojë e mjedisit të ndotur, të drejtën e komunës për qasje në projekte dhe një grant të veçantë, i ndarë nga qeveria e Kosovës.

Top Channel