SHBA-Rusi, bisedime mbi sulmet ajrore në Siri

01/10/2015 09:30

Ushtria amerikane dhe ajo ruse do të zhvillojnë bisedime sa më shpejt të jetë e mundur me qëllim që të shmangin përplasjet në Siri.

Zyrtarë rusë të mbrojtjes thonë se të mërkurën, avionët e Moskës ndërmorën gati 20 misione kundër Shtetit Islamik. Por Uashingtoni shprehu shqetësimin se shënjestrat e sulmeve ajrore ruse nuk ishin miliantët e ISIS-it. Sipas tij, objektivat e goditur kanë qenë rebelë kundërshtarë të aleatit të madh të Moskës në rajon, presidentit sirian Bashar al-Assad.

Amerika po i sulmon prej muajsh ekstremistët e Shtetit Islamik në Siri e Irak përmes një fushate ajrore e cila nuk ka prekur kryengritësit anti-Assad. Edhe NATO-ja e pranon se ka pasur shumë pak koordinim mes Rusisë dhe forcës së drejtuar nga Shtetet e Bashkuara kundër ISIS-it.

Uashingtoni thotë se për sulmet ajrore ruse të së mërkurës u informua vetëm një orë përpara se ato të ndodhnin. Dy prej gazetave më prestigjoze të globit, “New York Times” dhe “Wall Street Journal” raportuan se bombardimet e Moskës po shënjestronin rebelët e mbështetur nga Amerika. Pas valës së reagimeve, ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov evidentoi nevojën për vendosjen e linjave të komunikimit në mënyrë që të shmangen incidentet e paqëllimshme.

Homologu i tij, John Kerry sqaroi se bisedime dypalëshe mbi këtë çështje do të zhvillohen me urgjencë, ndoshta që paraditen e sotme.

Top Channel