Çështja “Carneiro”, Mourinho fiton betejën e parë

01/10/2015 10:05

Jose Mourinho fiton betejën e parë ndaj mjekes Eva Carneiro. Federata Angleze e Futbollit (FA) e çliroi nga të gjitha akuzat teknikun e Chelsea për përdorim të fjalorit diskriminues dhe me tone seksiste ndaj saj. 

Pasi shqyrtuan të gjitha videot që kishin në dispozicion, drejtuesit e institucionit më të lartë të futbollit në Angli arritën në përfundimin se Jose Mourinjo nuk kishte përdorur një fjalor të rëndë kundër Eva Carneiros. Ajo që kërkoi ndërhyrjen e FA-së në këtë çështje ishte pikërisht avokatja Mary O’Rurke, por gjërat shkuan në favor të portugezit. 

Në rast se kjo Federatë do të konfirmonte këto pretendime të O’Rurke dhe Carneiros, atëherë Mourinho do të ndëshkohej me 5 ndeshje pezullim.

Gjithsesi, përplasjet mes mjekes dhe trajnerit nuk mbyllen këtu. Eva Carneiro, pasi dha dorëheqjen nga detyra e saj te skuadra e Bluve të Londrës, ka vendosur ta çojë këtë çështje në Gjykatën Civile për dëmtim të imazhit të saj pas ndeshjes së 8 gushtit mes klubit londinez dhe Swansea.

Top Channel