Basha: Rama mbështet drejtësinë për të mbrojtur aferat e tij

01/10/2015 10:30

“Shqipëria ka një legjislacion të vetin, ku ka hapësirë për të bërë hetim për këdo dhe për gjithçka. Pra, Shqipëria nuk ka asnjë shpikje alla shqiptarçe për të bërë”, është shprehur një ditë më parë kryeministri Edi Rama për Zërin e Amerikës.

Ky qëndrim i kryeministrit Edi Rama për hetimin ndërkombëtar të aferës CEZ-DIA është lexuar nga opozita si pengesë për të zbardhur këtë çështje, zbulimi i së cilës sipas zyrës avokatore të Shqipërisë në arbitrazh kundër kompanisë DIA, do të çonte në ekspozimin e rastit më të madh të korrupsionit dhe mashtrimit në Shqipëri.

Kreu i opozitës Lulzim Basha ndodhet në Berlin për takime me zyrtarë të CDU-së gjermane, por në profilin e vet në Facebook shkruan se, për të mbrojtur aferat e tij, Edi Rama është shndërruar në avokatin e një sistemi drejtësie që e ka akuzuar dhe shantazhuar dy vjet rresht.

“Pse i trembet Edi Rama hetimit ndërkombëtar për aferën 600 milionë euro? Pse ka frikë nga e vërteta?”-pyet në mënyrë sfiduese kryetari i opozitës kryeministrin e vendit. Sipas Lulzim Bashës, Edi Rama, që “trajton një popull të tërë si hajdut, është nën akuzë për vjedhjen e shekullit, jo për 6, as për 60, por për 600 milion euro dhe përsëri kërkon t’i ikë hetimit”.

Kreu i opozitës thotë se kjo është një përpjekje e kotë e kryeministrit, sepse hetimi do të kryhet, e vërteta do të zbardhet dhe se ligji do të veprojë mbi këdo që ka abuzuar me pasuritë e qytetarëve shqiptarë”.

Top Channel