Bushati në New York, merr pjesë në ministerialet rajonale të Ballkanit Perëndimor

01/10/2015 10:30

Gjatë qëndrimit të tij në New York ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka marr pjesë në ministerialet rajonale. Gjatë fjalës së tij në takimin e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku morri pjesë dhe eurokomisioneri për zgjerimin, Johannes Hahn, Bushati theksoi rëndësinë e krijimit të Fondit të Ballkanit Perëndimor.

Për ministrin ky Fond është i rëndësishëm si një nga aksionet më të rëndësishme politike dhe diplomatike dhe në krijimin e Zyrës për Bashkëpunimin Rinor, si një shenjë e plotë e vullnetit politik dhe vizionit të ri, për një rajon në frymën e mirëkuptimit, tolerancës dhe miqësisë, për të nxitur pajtimin dhe bashkëpunimin, për të luftuar distancimin e të rinjve nga praktikat dhe fenomenet e racizmit, ksenofobisë dhe gjuhës së urrejtjes.

Gjatë takimit të Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të Procesit të Bashkëpunimit të Vendeve të Evropës Juglindore, (SEECP), ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati theksoi nevojën për një koordinim më të mirë, solidaritet, dhe përgjigje kolektive, për krizën e valës së emigrantëve në Europë.

Takimi i radhës i ministrit ishte ai i vendeve anëtare të Kartës së Adriatikut (A5), kryesinë e së cilës e merr Bosnje Hercegovina. Në fjalën e tij, Ministri Bushati u ndal në sfidat aktuale me te cilat përballet siguria euroatlantike si dhe kontributin e Shqipërisë në përballimin e tyre. Ministri gjithashtu nënvizoi rëndësinë e intensifikimit të bashkëpunimit rajonal si faktor i rëndësishëm në ecurinë e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt integrimit të tyre të plotë Euro-Atlantik.

Top Channel