Ndeshja Shqipëri- Serbi, FSHF: Nuk do të ketë tifozë serbë në stadium

01/10/2015 11:15

Në ndeshjen Shqipëri- Serbi të 8 tetorit nuk do të ketë tifozë serbë në stadium. Kjo u bë e ditur nga Ilir Shulku, sekretari i përgjithshëm i FSHF-së, gjatë një konference për shtyp, ku bëri publike edhe masat e marra për këtë ndeshje.

“Nuk është e vërtetë që do të ketë tifozë serbë në stadium. Bëhet fjalë për në grupim studentor që nga një marrëveshje e iniciuar nga qeveria shqiptare dhe serbe në një mbledhje të organizuar në Berlin me kancelaren Merkel”, tha Shulku.

Ka pasur afërsisht 100 mijë kërkesa për bileta nga tifozët e kombëtares, tha Shulku, dhe për këtë janë detyruar të bëjnë përzgjedhje. “Procesi i shitjes së biletave është pikë shumë e rëndësishme e këtij procesi. Për këtë ndeshje mbajtëm të njëjtat çmime si ndeshjet e tjera. Kemi shitur online 20% të biletave, dhe me grupimet e dedikuara, që tashmë dihen që janë mbështetësit kryesorë të ekipit kombëtar, kemi ruajtur marrëdhënie konstante”, vijoi Shulku.

Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së tha se janë marrë masa që të mos ketë asnjë veprim jashtë fushe që të ndikojë në ecurinë e lojës. “Të gjithë duam fitore dhe duhet të përkrahim fitoren”, tha Shulku.

Grupimi i vetëm në stadium do të jetë ai i “Tifozëve Kuq e Zi”, të cilët në bashkëpunim me Federatën do të bëjnë një koreografi. I ftuar në këtë ndeshje do të jetë dhe zyrtari i lartë i UEFA-s, sekretari i përgjithshëm i saj, Gianni Infantino.

Top Channel