I shkathti Vladimir Putin

01/10/2015 11:45

Se çfarë po ndodhte në Siri fill pas kapërcimit të atij detajit të vogël tekniko-ligjor që është aprovimi sa për sy e faqe nga parlamentit rus i një vendimi “de facto” të vulosur në Kremlin, kjo u pa qartë që në rreshtat e parë të raporteve mediatike mbi fillimin e sulmeve ruse kundër ISIS-it. 

Bombat përuruese të ndërhyrjes u hodhën në Homs, qyteti fantazëm i rrënuar thuajse krejtësisht nga dallgë bombardimesh të mëhershme si nga toka e nga ajri prej forcave të regjimit sirian. Sot, nga Homsi i dikurshëm nuk ka mbetur shumë, e kjo sepse i qëlloi të ishte një prej vendeve të përplasjes së madhe ushtri-rebelë. 

U luftua fort për kontrollin e tij. Është e vërtetë se grupe kryengritësish atje ka me shumicë. Ashtu siç është e vërtetë se militantët gjakatare të ISIS-it të sotëm, tmerrit të rajonit e grupit prej dy vjetësh më të frikshëm terrorist të globit, u shkëputën në vitin 2013 pikërisht nga radhët e atyre që luftonin Assadin e që menduan se do të kishte, pse jo, edhe një “pranverë siriane”. 

Cështja është se sot ISIS-i i ka të përqendruara tjetërkund energjitë e tij; e përmend ndonjëherë Assadin nëpër deklarata periferike, por edhe ndonjë citim tmerrësisht i rrallë është zhdukur shpejt mes lajmeve për prerje kokash, hedhjesh të meshkujve nga tarraca e ndonjë godine shumëkatëshe për të qënit homoseksualë apo angazhimit aq të madh për ta bërë sa më bindëse përrallën e kalifatit sa të vrasin mendjen për të shpikur monedhën e vet. 

ISIS-i nuk është ulur këmbëkryq në Homs; në Homs ka rebelë vërtet, por janë nga ata që luftojnë Bashar al-Assadin. E avionët rusë sulmojnë pikërisht këtë zonë. Godasin kryengritësit, por jo ata për të cilët u fol në OKB. Apeli i Putinit në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara ishte për një strukturë të përbashkët ndërveprimi kundër Shtetit Islamik. Pikërisht për këtë mori dhe përgëzime. Për faktin që më në fund e hodhi një urë afrimi, u tregua bashkëpunues, dëshmoi frymë uniteti kundër armikut të përbashkët të botës sot. 

Por shënjestrat e sulmeve ruse për fat të keq i lënë vend dyshimit: a mos vallë presidenti ish-agjent edhe një herë e bëri lojën si deshi vetë dhe rrëmbeu një aprovim të heshtur për t’i hyrë një valleje, të cilën pastaj, ta hiqte si të donte? Për të përligjur të paktën në fasadë një veprim që tjetër qëllim ka, e për tjetër shitet, e për të mbrojtur nën maskën e sulmeve anti-ISIS aleatin e vet të madh në rajon, duke i hequr ca nga armiqtë e brendshëm që i rrinë nëpër këmbë.

Top Channel