Meta: Më sulmon mafia; debate në Kuvend me Ridvan Boden

01/10/2015 00:00

Ilir Meta ka bërë një sqarim të gjatë në foltoren e Kuvendit, duke dhënë argumentat, që sipas tij, hedhin poshtë akuzat që lidhin emrin e kreut të Kuvendit me kompaninë DIA.

Si ministër i Jashtëm në Qeverinë “Berisha”, Meta deklaroi se në Pragë nuk ka negociuar me CEZ-in për kompaninë e Kastriot Ismailajt, me të cilin marrëveshja është lidhur nga Dritan Prifti, ministër Ekonomie në atë kohë.

“Kastriot Ismailaj nuk më ka kërkuar asnjë nder, nuk i kam bërë asnjë nder. Kjo gjë duhet të jetë fare e qartë për ju dhe cilindo tjetër”, tha Meta.

Argumenti i dytë i dhënë nga Meta, ishte ai se kompania e kontraktuar nga qeveria shqiptare për llogari të OSHEE-së nuk ka përmendur emrin e tij, por vetëm ka folur për një ish-kryeministër që ka ndikuar tek CEZ-i për DIA-n, duke nënkuptuar se ai ka qenë Vilson Ahmetaj.

Argumenti i tretë i dhënë nga Meta, ishte ai se deklarata e ish-kreut të CEZ-it në Shqipëri, që ka pohuar se është lobuar pranë tyre për DIA-n përmes ambasadorit tonë në Pragë, sipas Metes është i cunguar.

Kreu i CEZ-it në Shqipëri, tha Meta, ka cituar ambasadorin shqiptar të ketë thënë se Kastriot Ismailaj ka mbështetjen e ministrit të Jashtëm, por edhe të kryeministrit Berisha.

Duke nënvizuar këto fakte, sipas tij, kreu i LSI-së dha një tjetër argument përse kërkon hetimin ndërkombëtar.

“Unë jam për hetim ndërkombëtar, jam edhe për hetim amerikan. Dhe e dini përse kam thënë hetim amerikan? Sepse kam dëgjuar të gjithë këta mafiozë që thonë se shkrimin e ka, është bërë me porosi të Ambasadës Amerikane. Unë jam nga ata që ballafaqohet me shqiptarët, me amerikanët dhe me europianët pa asnjë shqetësim sepse jam i bindur tek drejtësia, e vërteta dhe transparenca. Nuk e ndërtoj punën time duke u përpjekur për të diskredituar të tjerët, por e ndërtoj me personalitet, me dinjitet edhe kjo është arsyeja që dikush mërzitet përse votohet partia që unë drejtoj”, shtoi Meta.

Debati Meta-Bode

Pjesa tjetër e deklaratave të Ilir Metës dhe më pas Ridvan Bodes, ishin akuza të ndërsjellta për afera korruptive në kohën kur të dy ishin të ulur në tavolinën e Qeverisë “Berisha”.

Ilir Meta: Nëse më gjeni një letër si ato letra e ish-ministrave tuaj që justifikon kërkesën e ERE-s për problemet që kishte CEZ-i që do të çonte në dëmtimin e interesave të KESH-it, atëherë nuk keni fare nevojë që të më kërkoni dorëheqjen. Dorëheqjen e jap vetë unë. Kur nuk keni prova, fakte mos u konsumoni kaq shumë duke stërpërdorur Tom Doshin, Dritan Priftin për herë të tretë për të shpifur kundër Ilir Metës. Mos u bëni pjesë e këtij operacioni mafioz, politik, mediatik dhe financiar.

Ridvan Bode: Apologjia juaj më bindi edhe më tepër se ju nuk jeni i pastër në këtë histori. Letra ka një zhvendosje në kohë prej dy vitesh nga skandali i DIA-s me CEZ-in. Ajo është e prillit 2012, kurse afera për të cilën ju përmendeni drejtpërdrejtë apo tërthorazi, apo dyshoheni se jeni të përfshirë, është e vitit 2010.

Ilir Meta: Zotëri, keni ndonjë shkresë timen ju lutem? E ke fjalën për shkresën tënde apo timen? Shkresa juaj është shumë e rëndë dhe pas saj u krijuan gjithë ato kompanitë e tjera të borxheve. Mos i gënjeni njerëzit se ke folur disa herë këtu dhe unë nuk kam qenë.

Ridvan Bode: Me qetësi dhe durim. Pazari për ndarjen e 30 milionë eurove, është e vitit 2010, letrën e angazhimit të qeverisë dhe deklaratën rregullatore dhe vjen pas një deklarate…

Ilir Meta: E cila favorizonte CEZ-in. Të gjitha ato favorizojnë CEZ-in në dëm të KESH-it.

Ridvan Bode: Me qetësi dhe durim, me maturi dhe durim.

Ilir Meta: Ke përgjigjen e ministrit të Ekonomisë të asaj kohe, ke përgjigjen e drejtorit të KESH-it të asaj kohe, por thuaj të vërtetën tamam.

Ridvan Bode: Kjo është letra kriminale pas të cilës kërkoni të fshiheni.

Ilir Meta: Ajo letër është presion mbi ERE-n që të justifikojë veprimin që do të bëhej në kurriz të KESH-it dhe në interes të CEZ-it. Mund ta sqarosh në Prokurori më mirë.

Ridvan Bode: Me qetësi dhe maturi…

Ilir Meta: Më kërkoni dorëheqjen mua se ju ka thënë kryetari i partisë, i pafajshmi Lulzim Basha. Kush më kërkon dorëheqjen mua? Lulzim Basha?! Unë e dhashë shembullin tim se jap dorëheqje para 5 vjetësh, ndërsa Lulzim Basha i ka ikur gjykatës, i ka ikur procesit duke shpikur raporte mjekësore nga më absurdet, duke sajuar vizita jashtë shtetit dhe duke mbyllur çështjen me procedurë, ndërsa unë i kam shkuar gjykimit deri në fund në mënyrë të plotë.

Ridvan Bode: Ju i ndershmi, që akuzoheni për disa miliona euro, po na akuzoni ne të pandershmit se vendimet dhe veprimet tona kanë shkaktuar pasoja. Ne jemi duke kërkuar një hetim ndërkombëtar të plotë për të gjitha çështjet dhe le të nxjerrë hetimi ndërkombëtar se kush është i përfshirë dhe kush jo.

Top Channel