Hetimi i huaj për CEZ-in, Kuvendi refuzon propozimin i PD-së

01/10/2015 00:00

Parlamenti nuk futi në seancën e së enjtes në rend e dite me procedurë të përshpejtuar projektligjin e opozitës për hetim të ndërkombëtar të skandalit të CEZ-it.

Gramoz Ruçi tha se nuk ka bazë ligjore për ta bërë këtë.

“Le të rradhisim 3-4 çështje, një CEZ-in, që thoni ju, nga A-ja tek ZH-ja, çështja e dytë: Gërdecin, nga fillimi në fund, çështja e tretë: 21 Janari, nga fillimi në fund, çështja e katërt: aferat në Rrugën e Kombit. Katër çështje! Po deshët të shtoni ju ndonjë të pestë, unë do t’i bind këta. Pra pasi të vendosim këtë objekt, probleme që i qëndrojnë varur publikut shqiptar, t’u bëjmë kërkesë atyre që “Po! Dakort! Këto pesë çështje do t’i marrim ne, ju ecni përpara! Unë do t’i bind këta që do të ndryshojmë çdo nen të Kushtetutës, çdo nen të Kodit Penal që të vijnë përfaqësi nga këta dy partnerë. Por ama që ne të bëjmë një deklaratë, kryetari i opozitës dhe ish-kryeministri dhe Grupi Parlamentar dhe që zëdhënësi i ambasadës del e të thotë: Më falni, por kjo është detyrë e organeve tuaja! Të jemi seriozë me veten, të jemi seriozë edhe me partnerët tanë ndërkombëtarë. Mos të luajmë lojën e kungulleshkës, mos kujtoni se do të nxirrni kredo politike dhe elektorale nga këto çështje pasi nuk arrini dot që ta krijoni këtë. Nuk është faji ynë që punoni në boshllëk.

Por, ish-kryeministri Berisha tha se ata që nuk miratojnë ligjin tregojnë se janë përgjegjës. 

“Unë ekspozenë tuaj e kuptoj se nuk e pranoni hetim ndërkombëtar. Nëse thua: e pranoj, por…s’e pranon. E viktimizon me “Por”-in. Nuk çuditem sepse dje Edi Rama deklaroi publikisht që nuk e pranoj hetimin ndërkombëtar. Të mos fshihemi pas gishtit, por të ngrihemi në lartësinë e përgjegjësive tona dhe urdhëroni, nga alfa tek omega, çdo etapë, çdo moment, çdo vendim të hetohet dhe të dalin përgjegjësitë”, tha Berisha.

Top Channel