Kosovë, policia dhe EULEX bastisin prona gjyqtarësh, avokatësh e noterësh

01/10/2015 14:00

Gjyqtarë, avokatë e noterë kosovarë kanë qenë objekt i një aksioni të gjerë të Policisë së Kosovës dhe asaj të EULEX-it, në kuadër të një hetimi që po zhvillohet nga Prokuroria speciale për tjetërsimin (falsifikimin e pronarëve) e pronave publike dhe private.

Ish-kryetari i Gjykatës së Qarkut të Prishtinës, Isak Ademi, aktualisht noter i Republikës së Kosovës, konfirmoi për Top Channel se, rreth orës 8 të mëngjesit policia ka bastisur ambientet e punës së tij. Ai tregoi se, në rastin e tij bëhet fjalë për dyshime në lidhje me përvetësimin në mënyrë të paligjshme të një prone në fshatin Cagllavicë, duke sqaruar se policia i ka konfiskuar kontratat e kësaj prone.

Raste të tjera të ngjajshme kanë ndodhur, thonë burime të afërta me procesin, ndërsa të dyshuar janë edhe biznesmenë ndërtimesh në kryeqytet. Por, organet e rendit nuk i kanë bërë të ditura detajet e aksionit.

Në një njoftim të shkurtër të Prokurorisë së Shtetit thuhet se, policia ka kryer bastisje të shumta në disa prona, në bazë të gjykatësit ndërkombëtar nga Gjykata Themelore e Prizrenit. Sipas njoftimit, këto aktivitete kanë të bëjnë me hetimet në vazhdim kundër krimit të organizuar, pastrimit të parave dhe veprave të ngjashme, të kryera nga një prokuror i Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Nga ana tjetër, përveç Prokurorisë dhe Policisë, që nuk kanë dhënë informacione, edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Oda e Noterëve janë deklaruar se nuk kanë informacione dhe se për aksionet ndaj anëtarëve të tyre kanë lexuar në media.

Top Channel