Dita e të moshuarve, Veliaj kafe me pensionistët

01/10/2015 14:40

Në Ditën Ndërkombëtare të të Moshuarve, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, e ka nisur ditën e punës duke konsumuar kafene e mengjesit me pensionistë dhe veteranë. Ne fillim ka pritur në zyrën e tij një grup përfaqësuesish të pensionistëve dhe të shoqatave të veteranëve, e më pas konsumoi një kafe në ambientet prapa bashkisë ku kishin improvizuar nje bar posaçërisht për këtë ditë.

Disa lokale në Tirane i janë përgjigjur thirrjes së bashkisë për të ofruar kafe falas për të moshuarit. Bashkia e Tiranës ka menduar që në ditën ndërkombëtare të të moshuarve t’u ofrojë dhe transport falas të gjithë pensionistëve, të cilet sot duhet të mbajnë me vete librezën e pensionistit. Kjo është njoftuar një ditë më parë, por edhe brenda ambienteve të autobusit. Por shumë pensioniste kanë paguar pasi nuk e kishin me vete librezën.

Më pas kryebashkiaku Veliaj mori pjesë në inaugurimin e çerdhes nr. 14 në qytet, të rikonstruktuar falë nismës “Adopto një çerdhe” duke e cilësuar atë si vendin ku gjyshërit e gjyshet do jenë të lumtur për mënyrën si do trajtohen nipërit e mbesat e tyre.

“Jam shumë i lumtur sot që në ditën e të moshuarve ne inauguruam këtë çerdhe sepse besoj se nuk ka dhuratë më të mirë për gjyshërit e gjyshet sesa kur të shikojnë nipërit e mbesat që trajtohen me dashuri e kujdes dhe me respekt nga qyteti i tyre. Ndaj dhe unë besoj se për këtë dhuratë për nipërit e mbesat e të gjithë gjyshërve t’ju uroj të gjithëve gëzuar festën. Qytetin e bëjnë njerëzit e kur ata mblidhen në ditë si e sotmja ku i kujtojmë gjyshërit për kontributin po investojmë dhe tek një brez i ri që po vjen është një lajm shumë i mirë”, tha Veliaj.

Përveç kafes falas në 24 njësitë administrative dhe udhëtimit falas, 100 stola janë vënë në parqet e ndryshme të Tiranës për të moshuarit.

Top Channel