Çështja “Tafaj” në Gjykatën e Lartë

01/10/2015 00:00

Pas katër muajsh hetime, ish-ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, është dërguar për gjykim në Gjykatën e Lartë për akuzën e shpërdorimit të detyrës për abuzime me ligjin në kohën që ishte kreu i kësaj ministrie.

Në njoftimin e Prokurorisë së Përgjithshme, thuhet se Tafaj ka vendosur hapjen e programeve mësimore të një shkolle të lartë private, në kundërshtim me atë që ka vendosur Këshilli i Akreditimit.

“Për Prokurorinë e Përgjithshme, ky veprim i tij është kryer me dashje të drejtëpërdrejtë, pasi edhe pse ka patur një detyrim ligjor për ta respektuar, edhe pse vlerësimi i dhënë nga institucioni kompetent ishte i qartë, ai ka vendosur hapjen e tyre në mënyre të kundraligjshme”, thuhet në njoftimin e organit të akuzës. 

Më tej, nga hetimet e Prokurorisë, thuhet se me veprimet e kryera, i pandehuri Myqerem Tafaj, në cilësinë e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, ka sjellë si pasojë krijimin e mundësisë së subjektit privat “Shkolla e Lartë Private Vitrina”, që pavarësisht se nuk plotësonte standardet e parashikuara nga ligji, të zgjerojë aktivitetin në fushën e arsimit dhe të ofrojë programe jo cilësore studimi, me pasoja financiare për individët dhe për shtetin.

Ndërkaq, menjëherë pas bërjes publike të këtij lajmi, ka reaguar dhe Myqerem Tafaj, i cili e ka vlerësuar si të padrejtë këtë vendim të Prokurorisë dhe të marrë nën presionin e Qeverisë.

Top Channel