Gjermani, bie popullariteti i Merkelit. 54%, më i ulëti në 4 vite

01/10/2015 00:00

Popullariteti i Kancelares gjermane, Angela Merkel, duket se ka pësuar rënien më të madhe në këto 4 vite, për shkak të shqetësimeve në rritje nga fluksi i qindra e mijëra refugjatëve të ardhur në Gjermani, sipas një sondazhi të publikuar këtë të enjte.

Sondazhi “Deutschlandtrend” i zhvilluar nga rrjeti televiziv publik “ARD” tregoi një rënie me 9 pikë përqindjeje të popullaritetit të Merkelit, duke rënë në 54%. Edhe pse disa nga kolegët e saj europianë mund ta kenë zili këtë shifër, ky nivel është më i vogli që prej dhjetorit të vitit 2011, kur nisi edhe kriza financiare e Eurozonës.

I njëjti sondazh tregonte se 51% e të anketuarve thonë tashmë se, ndihen të frikësuar nga numri jashtëzakonisht i madh i azilkërkuesve që duan të mbërrijnë në Gjermani.

Më shumë se 200 mijë emigrantë përllogariten të kenë mbërritur në Gjermani vetëm gjatë shtatorit, thuajse sa ç’kishin shkuar gjatë gjithë vitit të kaluar, ndërsa qeveria federale llogarit se 800 mijë ose më shumë mund të mbërrijnë deri në fund të këtij viti.

Merkel e nisi fillimisht me “festime” për shkak se po bënte një figurë të mirë, si brenda edhe jashtë vendit, për mikpritjen e kaq shumë refugjatëve, shumica e të cilëve u largohen konflikteve të dhunshme në Lindjen e Mesme. Por, teksa fluksi ka vazhduar të rritet dhe ambientet gjermane të strehimit të tyre i kanë tejkaluar limitet, Kancelarja është bërë tashmë prè e kritikave.

Aleatët e saj bavarezë e akuzojnë atë për inkurajim të pavullnetshëm të më shumë refugjatëve për të kërkuar Gjermaninë si destinacion përfundimtar, për shkak të fotove “selfie” të bërë me ta gjatë vizitës së saj të muajit të kaluar dhe pas deklaratës publike se nuk do të ketë një numër maksimal të refugjatëve që do të pranohen.

Top Channel