Kosovë, aksion policor kundër fajdexhinjve; 6 të arrestuar

01/10/2015 00:00

Një aksion i Policisë së Kosovës, i zhvilluar në rajonet e Mitrovicës dhe të Prizrenit, rezultoi këtë të mërkurë me 6 persona të arrestuar, të dyshuar për krijimin e fajdeve me synim pastrimin e parave.

Policia njoftoi se, i arrestuari me inicialet G.G. dyshohet se ka dhënë parà me fajde, duke specifikuar një rast, kur viktima është dashur të paguajë 25 mijë euro dhe një parcelë toke prej 129 metra katrorë në pamundësi të kthimit të parave.

I arrestuari tjetër me inicialet B.Z., nga Mitrovica, dyshohet se ka marrë një banesë prej 120 metra katrorë nga viktima, për një vlerë të vogël parash që ai ia kishte borxh.

Në qytetin e Prizrenit, ndërkaq, përveç arrestimit të 4 personave, gjatë bastisjes së tri vendndodhjeve policia ka sekuestruar edhe armë zjarri të tipit kallashnikov, armë gjahu, pistoletë etj.

Gjithashtu janë konfiskuar letra e dokumente, me interes për hetimin e rastit. Policia tregon se këto aksione realizohen pas një hetimi të gjatë, lidhur me fenomenin e fajdes në Kosovë.

Fajdexhinjtë, ose personat që japin parà në këmbim të shumave më të mëdha, konsiderohen si një problem mjaft shqetësues për shoqërinë kosovare, e ngritur disa herë si çështje edhe në Kuvendin e Kosovës.

Pak javë më parë, Hekuran Morina nga Prizreni është vrarë, për shkak se fajdexhinjtë i kishin kërkuar paratë e dhëna me fajde. Kanë qenë familjarët e të ndjerit, të cilët kanë rrëfyer se i biri ishte kërcënuar disa herë. Sipas tyre, rastet e kërcënimit janë raportuar edhe në polici, por policia nuk ka reaguar për të vënë drejtësi në këtë çështje.

Top Channel