Kosovë, asgjësohen 23 ton limonë me prani të lartë pesticidesh

01/10/2015 00:00

Autoritetet kosovare asgjësuan një ngarkesë prej 23 ton limonësh, e cila ishte e ndaluar në pikën kufitare të Vermicës.

Inspektorati i AUV-së nxori vendim për asgjësimin e kësaj sasie, pas sinjalizimit nga sistemi i alarmit për ushqimet për njerëz apo për kafshë i Komisionit Europian, se një ngarkesë me limonë me origjinë nga Turqia e që kishte për destinacion Kosovën, rezultonte me prani të pesticideve mbi nivelin e lejuar.

Sipas të dhënave që iu transmetuan Agjencisë kosovare të Ushqimit dhe Veterinarisë, analizat e kryer nga BE kanë vërtetuar prani të lartë të pesticidit të llojit “Biphenly”.

Në momentin e ardhjes së ngarkesës në kufi, në pikën kufitare të Vërmicës, Inspektori Fitosanitar Kufitar i AUV-së ka nxjerrë vendimin për refuzim të importit të ngarkesës dhe nuk është lejuar fare hyrja në territorin e Republikës së Kosovës.

Refuzimi nënkupton se, ngarkesa nuk i plotëson kushtet për import dhe se, duhet të kthehet në vendin e origjinës. Nëse pala importuese nuk arrin ta kthejë në vendin e origjinës, paraqet kërkesë pranë AUV-së për asgjësim. Inspektorati, bazuar në procedurat ligjore, përcakton vendin e asgjësimit, që plotëson kushtet për mosndotjen e ambientit.

Top Channel